Organizata izraelite: Izraeli s’është demokraci, ka regjim të aparteidit

Azia

Organizata izraelite: Izraeli s’është demokraci, ka regjim të aparteidit

Më: 12 janar 2021 Në ora: 09:02
Foto ilustrim

Një organizatë izraelite që merret me të drejtat e njeriut ka thënë se Izraeli nuk është vend demokratik, por regjim aparteidi që zbaton supremaci çifute ndaj të gjitha territoreve që i kontrollon.

“Një parim organizues që shtrihet në themelin e një grupi të gjerë të politikave izraelite: avancimi dhe përjetësimi i supremacisë së një grupi – çifutëve – ndaj një tjetri – palestinezëve”, thuhet në raportin e organizatës B’Tselem, e cila merret me dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut.

“Izraeli nuk është demokraci që ka një okupim të përkohshëm që i është ngjitur asaj. Është një regjim mes Lumit Jordan deri në Detin Mesdhe dhe ne duhet ta shikojmë fotografinë e plotë dhe ta shohim atë për atë që është: aparteid”, tha Hagai El-Ad, drejtor ekzekutiv i kësaj organizate.

Megjithatë, raporti shkon edhe më tej, duke pretenduar se Izraeli ka krijuar një sistem në tërë territorin ku qytetarët çifutë kanë të drejta të plota, ndërsa palestinezët janë të ndarë në katër grupe me nivele të ndryshme të të drejtave, varësisht nga vendi ku jetojnë, por gjithmonë janë nën çifutët.

Ndaj këtij raporti reagoi Ohad Zemet, zëdhënës i Ambasadës së Izraelit në Britaninë e Madhe, i cili tha se ky raport është vegël për propagandë. “Izraeli i kundërshton pretendimet e rreme në të ashtuquajturin raport, sepse ai nuk është i mbështetur në realitet, por në një pikëpamje të shtrembëruar ideologjike”, shtoi ai.

Verën e kaluar, një grup tjetër izraelit për të drejtat e njeriut, i quajtur Yesh Din, publikoi një opinion ligjor, në të cilin thuhet se në Bregun Perëndimor është duke u kryer aparteid, shkruan The Guardian.

Në vitin 2017, Komisioni Ekonomik dhe Social për Azinë Perëndimore, organ i Kombeve të Bashkuara, u bë institucioni i parë i OKB-së që e akuzoi Izraelin për aparteid, që cilësohet krim sipas ligjit ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat