Përhapja e Covid-it në Kinë, më e madhja që nga marsi i vitit të kaluar

Azia

Përhapja e Covid-it në Kinë, më e madhja që nga marsi i vitit të kaluar

Më: 19 janar 2021 Në ora: 12:46
Foto ilustrim

Kina po lufton me përhapjen më të rëndë të koronavirusit që nga marsi i vitit të kaluar. Një provincë shënoi rekord të numrit ditor të rasteve, ndërsa një panel i pavarur vlerësoi se Kina ka mundur të bëjë më shumë për ta luftuar përhapjen fillestare.

Kina shënoi mbi 100 raste të reja të koronavirusit për të shtatën ditë me radhë të martën. Të hënën u regjistruan 118 raste, ndërsa të dielën 109, bëri të ditur autoriteti shëndetësor kombëtar përmes një deklarate.

Nga rastet e reja, 106 ishin raste të transmetimit lokal dhe 43 prej tyre u regjistruan në Jilin, që paraqet shifër rekorde për provincën verilindore, shkruan Reuters.

Dhjetëra miliona njerëz janë duke qëndruar në izolim në kohën kur qytetet veriore po i nënshtrohen testimit masiv të popullsisë për shkak të shqetësimeve për raste të paidentifikuara të personave të infektuar, të cilët mund ta përhapin shpejt virusin gjatë festës së Vitit të Ri Kinez.

Qindra miliona njerëz pritet të udhëtojnë në pjesë të ndryshme të vendit gjatë muajit shkurt pasi punëtorët imigrantë kthehen në vendlindje për të qëndruar me familjet e tyre gjatë festës.

Autoritetet kineze kanë bërë thirrje që njerëzit ta shmangin udhëtimin para festës dhe të qëndrojnë larg tubimeve masive, siç janë dasmat.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat