Pezullohet plani i Netanyahut për dhurimin e vaksinave

Azia

Pezullohet plani i Netanyahut për dhurimin e vaksinave

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 21:57
Benjamin Netanyahu

Plani i kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu për të dhuruar vaksina kundër koronavirusit për disa shtete mike, është ngrirë të enjten pas kundërshtimit të kësaj marrëveshjeje, ka deklaruar zyra e tij.

Iniciativa e kryeministrit izraelit është vënë në pikëpyetje nëse është ligjore apo jo.

Një sasi e dozave të vaksinave sipas këtij plani ishte paraparë që të dërgohej në disa vende të largëta të Afrikës dhe Amerikës Latine, në kohën kur territoret fqinje palestineze po përballen me vështirësi për të siguruar doza të vaksinave për vete, raporton AP.

Netanyahu, të mërkurën, ka pranuar ndarjen e vaksinave të koronavirusit me një numër të shteteve mike që i kanë bërë favore Izraelit në të kaluarën. Ndonëse nuk është bërë e ditur numri i shteteve, një listë e siguruar nga televizioni shtetëror izraelit lë të kuptohet se një numër prej tyre kanë përkrahur pretendimin e Izraelit për qytetin e kontestuar të Jerusalemit si kryeqendër të veten.

Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz bëri thirrje për ndalim të dërgesave, duke thënë se rezervat e vaksinave të Izraelit janë pronë e shtetit.

Ai kritikoi kryeministrin duke vënë në dyshim pretendimet e Netanyahut se ka me të vërtetë furnizime të tepërta kur sipas tij, izraelitët ende nuk janë vaksinuar plotësisht.

"Kjo nuk është hera e parë që vendimet e rëndësishme të mbrojtjes dhe diplomatike po merren pas shpinës së organeve përkatëse, duke dëmtuar ndoshta sigurinë tonë kombëtare, marrëdhëniet tona të jashtme dhe sundimin e ligjit", shkroi Gantz.

Ai kërkoi që çështja të sillet për diskutim para Kabinetit të Sigurisë së Izraelit dhe tha se ai i kishte kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm një mendim për këtë çështje.

Ndërkaq, Prokurori Avichai Mandelblit tha se ka pranuar një numër të kërkesave për të vlerësuar vendimin e Netanyahut. Një nga këto kërkesa, ai tha se erdhi nga këshilltari i Netanyahut për siguri kombëtare, i cili i kishte thënë se ishte udhëzuar për të "ngrirë çdo veprim për këtë çështje".

Pavarësisht ndalimit, një medium në Izrael ka raportuar se një dërgesë veçse është dërguar në Honduras.

Netanyahu i cili po garon për rizgjedhje më 23 mars, ka shënuar një sukses politik me fushatën e suksesshme të vaksinimit ku gjysma e popullatës së këtij shteti tashmë kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19. Izraeli ka rreth 9.3 milionë banorë, 2.5 milionë prej tyre tashmë janë vaksinuar me vaksinën e Pfizer/BioNTech.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat