Viti i dytë radhazi/ Asnjë festim për ditëlindjen e perandorit Naruhito

Azia

Viti i dytë radhazi/ Asnjë festim për ditëlindjen e perandorit Naruhito

Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 06:10
Naruhito

Për të dytin vit radhazi, për shkak të pandemisë së COVID-19, nuk do të planifikohet asnjë ceremoni zyrtare për Perandorin Naruhito, i cili sot mbush 61 vjeç, një datë që në traditën zyrtare të kalendarit japonez është e përcaktuar si ditë pushimi kombëtar.

Në videokonferencën për shtyp, që i parapriu përvjetorit me disa ditë, monarku shprehu mbështetjen e tij për “këmbënguljen dhe guximin e popullsisë gjatë urgjencës shëndetësore”, duke falënderuar personelin mjekësor për punën e tij në frenimin e sëmundjes.

Normalisht, për ditëlindjen e tij, perandori u drejtohet subjekteve të mbledhur brenda Pallatit Perandorak, në qendër të Tokios, por edhe me këtë rast, si në vitin 2020, autoritetet lokale kanë anuluar festimet zyrtare me qëllim shmangien e grumbullimeve të tepërta të njerëzve.

Duke iu referuar përvjetorit të 11 marsit, që do të përkujtojë dhjetëvjetorin e katastrofës së trefishtë të Fukushimës, Naruhito shprehu shpresën për të qenë në gjendje të vizitojë rajonin Tohoku, “i vetëdijshëm se plagët e njerëzve të përfshirë në katastrofë nuk janë shëruar ende”.

Naruhito u shpall perandor i Japonisë në maj 2019 pas abdikimit të babait të tij 87-vjeçar Akihito, monarku i parë që hoqi dorë nga froni në 200 vjet histori.

Froni i Krizantemës është monarkia më e vjetër trashëgimore në botë pa pësuar ndërprerje, që daton që nga 660 para Krishtit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat