Përshkallëzohet dhuna në Mianmar

Azia

Përshkallëzohet dhuna në Mianmar

Më: 3 mars 2021 Në ora: 15:58
Mianmar

Disa persona humbën jetën në Mianmar të mërkurën, pas një dite tjetër demonstratash kundër juntës ushtarake të vendit.

Agjencia e lajmeve “Reuters” njoftoi se të paktën nëntë persona janë vrarë.

Forcat e sigurisë përdorën plumba gome dhe gaz lotësjellës për të shpërndarë turmat. Por dëshmitarët thonë se ndaj protestuesve janë përdorur plumba të vërtetë. Sipas njoftimeve janë plagosur disa persona mes tyre reporteri Htet Aung Khant i cili punon për shërbimin birmanez të “Zërit të Amerikës”. Ai u godit me një plumb gome ndërsa mbulonte protestat.

Prej përmbysjes së qeverisë civile nga ushtria më 1 shkurt dhe arrestimit të udhëheqëses de facto të vendit Aung San Suu Kyi e zyrtarëve të tjerë të lartë, Mianmari ka qenë i zhytur në kaos dhe dhunë. Sipas zyrës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut më shumë se 20 persona në të gjithë vendin janë vrarë gjatë trazirave, përfshirë 18 të dielën e kaluar.

Fqinjët rajonalë të Mianmarit dhe komunitetit ndërkombëtar kanë dënuar përshkallëzimin e dhunës në vend. Anëtarët e Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në përbërje të së cilit janë 10 shtete, zhvilluan një takim jozyrtar virtual të martën për të diskutuar situatën me homologun e tyre në Mianmar.

Kryetari i organizatës lëshoi një deklaratë pas takimit ku u bëhej thirrje "të gjitha palëve të interesuara të kërkojnë një zgjidhje paqësore, përmes dialogut konstruktiv dhe pajtimit në interes të njerëzve dhe jetes së tyre".

Të premten Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të zhvillojë një takim me dyer të mbyllura mbi situatën në Mianmar.

Ushtria e justifikoi grushtin e shtetit me pretendimet për manipulim të gjerë në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, të cilat u fituan me shumicë dërrmuese nga Partia Lidhja Kombëtare për Demokracinë e Suu Kyit. Por Komisioni Zgjedhor i Mianmarit i ka hedhur poshtë pretendimet e ushtrisë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat