Bllokimi i internetit, vegël për të bllokuar fjalën e lirë

Azia

Bllokimi i internetit, vegël për të bllokuar fjalën e lirë

Më: 10 mars 2021 Në ora: 20:11
Mianmar

Ndërprerjet e internetit gjatë natës në Mianmar janë pjesë e një strategjie që përdoret nga shumë qeveri në mbarë botën në kohë krizash. Por këto ndërprerje kanë koston e tyre.

Ndërsa bie nata në Mianmar, vendin e pushton shtetërrethimi dixhital. Me agimin e ditës, njezërit kontrollojnë telefonat për të parë nëse është hapur interneti. Pastaj, mijëra njerëz hapin aplikacionin Psiphon, që shmang bllokimin nga junta ushtarake të faqeve të internetit dhe rrjeteve si Facebook dhe Twitter.

Nga zyra e tij në Toronto të Kanadasë, Michael Hull, president i aplikacionit Psiphon, shikon dyndjen e njerëzve në rrjetet e tij. Psiphon bashkëpunon me media të tilla si Zëri i Amerikës.

“Rastet janë të pashembullta dhe nga perspektiva jonë, numri i njerëzve që u duhet të përdorin rrjetin Psiphon edhe pasi hapet interneti është një fenomen i ri.”

Nuk është e qartë arsyeja se pse qeveria ushtarake e Mianmarit, e cila mori kontrollin më 1 shkurt, po e ndalon internetin gjatë natës. Qeveritë zakonisht argumentojnë se bllokimi i internetit ndihmon në ruajtjen e sigurisë në kohë krize. Që nga marrja e pushtetit, Mianmari është përfshirë në protesta ndërsa dhjetëra demonstrues janë vrarë.

David Kaye është profesor i drejtësisë në Universitetin e Kalifornisë në Irvine dhe ish-Raportues Special i Kombeve të Bashkuara.

“Bllokimi i internetit i paraprin diçkaje tjetër,është parathënie e një shtypjeje më të madhe, ashpërsim i forcës dhe ndalime më të shumta të protestuesve.”

Në vitin 2020 kishte 155 bllokime të internetit në 29 shtete, sipas grupit jofitimprurës për të drejtat dixhitale “Access Now”. Ndërsa ka rënë numri krahasuar me dy vite më parë, bllokimet ende janë të dëmshme.

India kryesoi me 109 bllokime të internetit kryesisht në Kashmirin e kotrolluar nga India.

Bjellorusia përjetoi një bllokim interneti 61 orësh në muajin gusht pas zgjedhjeve presidenciale.

Përveç bllokimit të internetit, disa qeveri po instalojnë kapacitete të reja për censurë dhe survejim të rrjeteve. Kamboxhia po ndërton një portal kibernetik për të cilin kritikët thonë se i jep kontrollin qeverisë për të survejuar dhe censuruar përdoruesit. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jalina Porter shprehu shqetësimet e Uashingtonit.

“Kemi një numër të konsiderueshëm khmero-amerikanësh që jetojnë në vendin tonë. Duam që ata të jenë në gjendje të komunikojnë me familjet dhe miqtë e tyre në Kamboxhia.”

Në një vend si Mianmari, mbyllja e internetit apo bllokimi i rrjeteve sociale sjell pasoja ekonomike dhe rreziqe politike, thotë David Kaye ish-Raportues Special i Kombeve të Bashkuara.

“Ndalimi i internetit është thellësisht jopopullor. Ata vërtetë duan të bllokojnë rrjedhën e informacionit sepse njerëzit varen nga interneti.”/VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat