Një vajzë shtatë vjeçe vritet në Mianmar

Azia

Një vajzë shtatë vjeçe vritet në Mianmar

Më: 23 mars 2021 Në ora: 22:36
Pamje nga një protestë në Mianmar

Një vajzë shtatë vjeçe u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë në Mianmar, duke u bërë viktima më e re e protestave që kanë përfshirë këtë vend.

Anëtarët e familjes thanë se vajza u vra në shtëpinë e saj në qytetin Mandalaj.

Ajo u identifikua si Khin Myo Chit.

Mianmari, që ndryshe njihet edhe si Birmani, është përfshirë nga trazirat prejse ushtria ka marrë pushtetin, më 1 shkurt.

Organizata bamirëse “Save the Children” thotë se mbi 20 fëmijë janë në mesin e njerëzve të vrarë në protesta.

Ajo tha se është “tmerruar” nga vdekja e vajzës, e cila vjen një ditë pas raporteve se një djalë 14 vjeç është vrarë po ashtu në Mandalaj.

Ushtria thotë se 164 njerëz janë vrarë në total, ndërsa grupi i aktivistëve, i njohur si Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë, thotë se bëhet fjalë për së paku 261 të vrarë në protesta.

Ushtria tha të martën se shpreh keqardhje për viktimat, por për to fajësoi anarkinë në vend.

Një zëdhënës i ushtrisë tha se protestuesit janë përgjegjës për aktet e dhunës dhe zjarrvënien.

Protestuesit thonë se duan rikthimin në demokraci.

Ushtria ka vënë nën arrest shtëpiak udhëheqësit e zgjedhur dhe ka premtuar zgjedhje të reja pas një viti.

Disa vende, përfshirë SHBA-në, kanë vendosur ose kanë kërcënuar me sanksione ushtrinë e Mianmarit./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat