Mianmar, vazhdojnë protestat pas ditës më të përgjakshme të demonstratave

Azia

Mianmar, vazhdojnë protestat pas ditës më të përgjakshme të demonstratave

Më: 28 mars 2021 Në ora: 15:28
Mianmar

Demonstrimet kundër grushtit të shtetit në Mianmar rifilluan të dielën në qytetin jugor të Daiweit, megjithëse në këtë qytet të vogël ishte përhapur shqetësimi se forcat e sigurisë do të qëllonin në vend këdo që dilte në rrugë pas mesditës.

Rreth 40 mësues e inxhinierë marshuan me flamuj e pankarta në duar me thirrjet për t’i dhënë fund juntës ushtarake dhe rikthimin në demokraci.

Edhe grupime të tjera vazhduan demonstrimet gjatë gjithë ditës, në një shenjë rezistence përballë shtypjes së ashpër të forcave policore e ushtarake.

Të shtunën u shënua dita më e përgjakshme që nga grushti i shtetit i 1 shkurtit. Forcat e sigurisë vranë 114 vetë, përfshirë fëmijë, gjatë protestave në qytete të ndryshme të vendit.

Komandantë të lartë ushtarakë amerikanë dhe homologët e tyre nga 12 vende dënuan të shtunën përdorimin e forcës kundër protestuesve duke thënë se udhëheqësit ushtarakë të Mianmarit kanë humbur besueshmërinë në popullatë.

Image
Deklarata

Deklarata e përbashkët, e siguruar nga agjencia e lajmeve Reuter, përbën një gjest të rrallë nga udhëheqës të lartë ushtarakë nga Shtetet e Bashkuara, Azia dhe Evropa.

"Si shefa të mbrojtjes, dënojmë përdorimin e forcës vdekjeprurëse ndaj njerëzve të paarmatosur nga Forcat e Armatosura të Mianmarit dhe shërbimet e sigurisë,” thuhej në deklaratën e nënshkruar nga 12 shefat e mbrojtjes të Australisë, Kanadasë, Danimarkës, Gjermanisë, Greqisë, Italisë, Japonisë, Holandës, Zelandës së Re, Koresë së Jugut, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat