Irani njofton për testimin e një centrifuge të re

Azia

Irani njofton për testimin e një centrifuge të re

Më: 10 prill 2021 Në ora: 15:38
Foto ilustrim

Irani tha të shtunën se ka nisur testet mekanike të një centrifuge të re të avancuar, edhe pse fuqitë botërore, që janë nënshkruese të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, po tentojnë që t’i rikthejnë Shtetet e Bashkuara në këtë marrëveshje.

Irani tha se centrifuga IR-9 u vu në funksion dhe e njëjta do të ketë aftësinë për të ndarë izotopet e uraniumit më shpejt sesa centrifugat aktuale që ka Teherani zyrtar, gjë që do të bënte që pasurimi i uraniumit të bëhet më shpejt. Ky njoftim i Iranit u bë në Ditën Bërthamore.

Centrifuga IR-9 besohet se është 50 herë më e shpejt sesa centrifuga iraniane IR-1. Irani, në kuadër të programit të tij bërthamor po ashtu thotë se po zhvillon edhe centrifuga të tipit IR-8.

Që prej janarit, Irani ka nisur pasurimin e uraniumit deri në 20 për qind pastërti, një përqindje kjo që është një hap më afër niveleve për prodhimin e armëve. Irani pretendon se programi bërthamor i tij është për qëllime civile dhe se shteti nuk ka pretendime për të prodhuar armë bërthamore, transmeton Associated Press.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore më 2018, duke e akuzuar Iranin se nuk po i përmbahet marrëveshjes bërthamore. Ai rivendosi sanksione të ashpra ekonomike ndaj Republikës Islamike.

Ndaj sanksioneve amerikane, Irani u përgjigj me rinisjen e pasurimit të uraniumit dhe ndërtimit të centrifugave të reja që janë në kundërshtim me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, që kishte për qëllim lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare, në këmbim të frenimit të programit bërthamor të Teheranit.

Njoftimi i Teheranit se ka nisur testimin e kësaj centrifuge të re, vjen një ditë pas bisedimeve të mbajtura në Vjenë të Austrisë, që kanë për qëllim rikthimin e SHBA-së në marrëveshjen bërthamore. Këto bisedime po bëhen nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera nënshkruese të marrëveshjes, siç është Britania, Gjermania, Kina, Rusia dhe Franca./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat