Kina hedh poshtë akuzat për gjenocid në Xinjiang

Azia

Kina hedh poshtë akuzat për gjenocid në Xinjiang

Më: 24 prill 2021 Në ora: 14:36
Një polic kinez qëndron pranë një kampi në Xinjiang të Kinës. Fotografi nga arkivi.

Një zëdhënës i Partisë Komuniste kineze në provincën Xinjiang e ka kritikuar Britaninë, që këtë javë ka thënë se trajtimi i ujgurëve dhe minoriteteve të tjera është gjenocid. Ky zyrtar ka thënë se këto akuza janë “totalisht të pabaza” dhe “nuk përkojnë me fakte”.

Të paktën një milion ujgurë dhe minoritete të tjera, kryesisht myslimane, besohet se po mbahen në kampe në Xinjiang dhe ka dokumentime të abuzimeve dhe ndalimit arbitrar, të sterilizimit të detyrueshëm dhe punës së detyrueshme.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe parlamentet e Belgjikës, Holandës dhe Kanadasë e kanë akuzuar Pekinin për gjenocid.

Më 22 prill, Parlamenti britanik kaloi një propozim, duke deklaruar se ndaj ujgurëve dhe minoriteteve të tjera, kryesisht myslimane, janë duke u kryer gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

“Ky propozim, që është miratuar nga pala britanike është totalisht i pabazë”, tha Xu Guixiang, që është zëdhënës i Partisë Komuniste.

“Ky vendim është marrë duke pasur për bazë deklarata të disa politikanëve, të disa të të ashtuquajtura institucione akademike, të ekspertëve dhe dëshmitarëve”, tha ai.

Qeveria kineze në vazhdimësi ka hedhur poshtë akuzat se po keqtrajton ujgurët, duke thënë se kampet janë mbyllur, por në këtë rajon ka qendra për të luftuar ekstremizmin.

Së fundmi, Human Rights Watch ka rekomanduar që të formohet një komision nga Kombet e Bashkuara për të hetuar pretendimet për keqtrajtime dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Zëvendëskëshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Daleep Singh më 23 prill tha se presidenti amerikan, Joe Biden do ta shfrytëzojë takimin e grupit G7, që do të mbahet në qershor, për të rritur presionin ndaj Kinës, që të ndalë punën e detyrueshme për banorët në Xinjiang.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat