Gjysma e popullatës në Birmani do të zhytet në varfëri deri në fund të këtij viti

Azia

Gjysma e popullatës në Birmani do të zhytet në varfëri deri në fund të këtij viti

Më: 30 prill 2021 Në ora: 18:42
Birmani

Pothuajse gjysma e popullatës në Birmani mund të futen në varfëri deri në fund të këtij viti, për shkak se shteti është drejt kolapsit ekonomik, të shkaktuar nga protestat e përgjakshme kundër grusht-shtetit të cilat kanë nisur që nga 1 shkurti i këtij viti në njërën anë, dhe pandemia me COVID-19 në anën tjetër.

Një raport i Kombeve të Bashkuara ka bërë të ditur se rritja e kostos së jetesës, humbjet e mëdha në të hyra dhe paga, dobësimi i shërbimeve bazike si kujdesi shëndetësor dhe një rrjet i papërshtatshëm i sigurisë sociale, do të jenë disa nga problemet të cilat do të prekin shumë njerëz, e sidomos gratë dhe fëmijët, shkruan CNN, transmeton Koha.net. Sipas raportit, deri në fund të vitit, gjysma e popullatës do të kenë vetëm 1,10 dollarë në ditë për kokë banori.

Analiza e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), paralajmëron se nëse situata ekonomike dhe ajo e sigurisë nuk stabilizohen së shpejti, deri në 25 milionë njerëz, që i bie 48% e popullatës në Birmani, do të zhyten në varfëri deri në vitin 2022.

Një shkallë e tillë e varfërisë nuk është parë në këtë shtet që nga viti 2005, kur Birmani ishte një vend i izoluar, për shkak të një regjimi ushtarak atëkohë.

Birmania pati bërë progres në reduktimin e varfërisë, sidomos që nga tranzicioni demokratik në vitin 2011, gjë që çoi drejt reformave ekonomike dhe politike.

Gjatë 15 viteve të fundit, shteti ka arritur që ta zbusë shkallën e varfërisë nga 48,2% në vitin 2005, në 24.8% në vitin 2017, sipas raportit të UNDP-së.

Protestat në Birmani kanë nisur në shkurt pas marrjes së pushtetit nga ushtria, e cila kishte arrestuar edhe lideren e zgjedhur demokratike, Aung San Suu Kyi, pasi pati konsideruar se zgjedhjet e nëntorit në të cilat ajo pati dalë fituese, ishin të manipuluara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat