Kriza humanitare në Indi, kryeministri Modi nën akuzë për menaxhimin e situatës së COVID

Azia

Kriza humanitare në Indi, kryeministri Modi nën akuzë për menaxhimin e situatës së COVID

Më: 5 maj 2021 Në ora: 19:39
Indi

Sot vendi më i prekur nga pandemia e COVID-19 është India. Spitalet janë në kaos, dhe shumë prej tyre vuajnë nga mungesa e pajisjeve mjekësore. Shteti me popullsi 1.4 miliardë banorësh po vendos rekorde botërore për numrin më të lartë të rasteve të reja, me mbi 400.000 të infektuar çdo ditë.

Vala e fundit e COVID-19 që ka çuar sistemin shëndetësor Indian në kolaps, ka bërë që personat e infektuar të dergjen spitaleve duke u përgjëruar për bombula oksigjeni.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se me 382 mijë rastet e reja në 24 orët e fundit, numri i rasteve ka arritur në mbi 21 milionë.

Për ata të infektuar që janë ende gjallë, marrja e oksigjenit mbetet një sfidë e madhe

“Kam ardhur për të rimbushur një bombul oksigjeni për një të afërm, kam këtu që në 5 të mëngjesit. Asgjë s’ka ndodhur deri më tani, njerëzit zihen për oksigjen. Shpresoj të arrij të marr një, por shumë vetë kanë mbetur duarbosh”, thotë Akshay Hampunaptra, i afërm i një pacienti me COVID.

Teksa autoritetet indiane po mundohen të rrisin prodhimin e vaksinave kundër COVID, furnizimet me oksigjen po dërgohen nga një anë e vendin në tjetrën.

Të mërkurën, Gjykata e Lartë në Indi urdhëroi autoritetet që të dorëzojnë një plan konkret për të përmbushur kërkesat e spitalit të Nju Dehlit brenda 24 orëve. Kjo vjen 24 orë pasi një gjykatë në Allahabad deklaroi se humbja e jetëve e të prekurve me COVID-19 për shkak të pamjaftueshmërisë së pajisjeve të frymëmarrjes është vepër penale dhe se kjo “nuk është ndryshe nga gjenocidi”.

Komuniteti ndërkombëtar prej ditësh ka nisur të dërgojë pajisje mjekësore, teste anti-COVID dhe materiale të ndryshme për të ndihmuar rritjen e prodhimit të vaksinave në Indi. Një avion mallrash u nis të martën nga Sidnei me mbi një mijë ventilatorë, 43 aparatura oksigjeni të cilat do të shpërndahen nga Kryqi i Kuq dhe autoritetet lokale në Indi.

Sipas ekspertëve, është ironike që India është e cilësuar si prodhuesi më i madh i vaksinave në botë dhe tani po përballet me mungesa të vaksinave dhe ilaçeve. E gjithë kjo situatë duhet të shërbejë si alarm për qeveritë federale dhe shtetërore, të cilat duhet të investojnë në mënyrë drastike më shumë në sektorin e kujdesit shëndetësor sepse “kjo padyshim nuk është pandemia e fundit që do të duhet të luftojmë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat