Vazhdon tmerri në Indi, shënohet rekord i rasteve dhe vdekjeve nga Covid-19

Azia

Vazhdon tmerri në Indi, shënohet rekord i rasteve dhe vdekjeve nga Covid-19

Më: 6 maj 2021 Në ora: 08:27
Foto ilustrim

India regjistroi shifra rekorde të infektimeve dhe të vdekurve nga Covid-19 gjatë 24 orëve të fundi: 412.262 të infektuar dhe 3.980 viktima për një ditë.

Në një raport javor, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se India përbën gati gjysmën e rasteve të reja dhe çerekun e viktimave që u raportuan në tërë botën gjatë javës së kaluar, shkruan Reuters.

Kriza me pandeminë është më akute në kryeqytetin New Delhi dhe në disa qytete tjera, por në zonat rurale, ku jeton rreth 70 për qind e popullsisë së Indisë, kujdesi shëndetësor i kufizuar po paraqet më shumë sfida.

Kryeministri Narendra Modi është kritikuar shumë për mosveprim më të shpejtë për ta luftuar valën e dytë të pandemisë, pasi festivalet fetare dhe tubimet politike grumbulluan dhjetëra mijëra njerëz në javët e fundit dhe besohet se kanë ndikuar në përhapjen më të madhe të virusit.

Shtimi i rasteve po ndodh pikërisht në kohën kur India po përballet edhe me tkurrje të programit të vaksinimit për shkak të problemeve me furnizim dhe shpërndarje, pavarësisht faktit se India është një ndër prodhuesit më të mëdhenj të vaksinave për Covid-19 në botë.

Në kryeqytet, më pak se 20 nga 5.000 shtretër në repartet e kujdesit intensiv janë të lirë në çfarëdo kohe gjatë ditës. Njerëzit po detyrohen të presin para spitaleve dhe në parkingje veturash për një vend të lirë. Ndërkohë këshilltari kryesor shkencor ka paralajmëruar për mundësinë e valës së tretë të pandemisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat