Shtohen akuzat kundër Kinës për keqtrajtimin e ujgurëve

Azia

Shtohen akuzat kundër Kinës për keqtrajtimin e ujgurëve

Më: 13 maj 2021 Në ora: 23:21
Ujgurët

Vendet perëndimore dhe grupe për të drejtat e njeriut i bënë thirrje Kinës të mërkurën të lejojë pa pengesa në Xinjiang shefin e agjencisë së OKB-së për të drejtat e njeriut, për të hetuar gjendjen e urgurëve dhe pakicave tjera myslimane. Ngjarja virtuale ishte organizuar nga Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe Britania dhe ishte mbështetur nga Kanadaja, Australia, Zelanda e Re dhe vende tjera evropiane.

Vendet e perëndimit dhe grupe për të drejtat e njeriut akuzuan Kinën se po dërgon miliona ujgurë në kampe përqëndrimi.

Qeveria kineze akuzohet edhe për shkelje të të drejtave të njeriut përmes torturës, punës së detyruar dhe sterilizimit me dhunë të grave.

"Ne do të vazhdojmë të flasim derisa qeveria kineze të ndalë krimet kundër njerzimit dhe gjenocidin ndaj ujgurëve dhe pakicave të tjera në Xinjiang. Ne do të vazhdojmë të punojmë në bashkëpunim me aleatët dhe partnerët derisa qeveria e Kinës të respektojë të drejtat e përgjithshme të të gjithë popullit të saj”, tha Linda Thomas-Greenflied, Ambasadore e Shteteve të Bashkuara në OKB.

Pekini mohon ekzistencën e kampeve të përqëndrimit, duke thënë se objektet janë “qendra të arsimit profesional” që kanë për qëllim ndalimin e përhapjes së ekstremizmit fetar dhe sulmet terroriste.

Kina u kërkoi vendeve anëtare të OKB-së të refuzojnë pjesëmarrjen në këtë takim virtual. Madje ata bënë thirrje për anulimin e ngjarjes, duke thënë se është e nxitur politikisht.

Megjithatë, një nga diplomatët e saj, këshilltari për të drejtat e njeriut në misionin e Kinës në OKB, mbajti një fjalim të shkurtër në seancë, ku deklaroi se ishte koha për të vërtetën.

"Kina nuk ka asgjë për të fshehur në Xinjiang. Ai rajon është gjithmonë i hapur. Mbi 1 mijë e 200 diplomatë, gazetarë, studiues nga 100 vende e kanë vizituar atë gjatë vitit të kaluar. Ne mirëpresim të gjithë ta vizitojnë, por kundërshtojmë çdo lloj hetimi të bazuar në gënjeshtra dhe me supozim të fajësisë, diçka që nuk do të pranohej nga asnjë vend i pavarur. Xinjiang-u është një rajon i bukur, paqësor dhe i begatë. Përpjekja juaj që përmes këtij rajoni të kontrolloni Kinën do të dështojë“, tha Guo Jiakun, këshilltar në misionin e Kinës në OKB.

Michelle Bachelet, shefe e misionit të OKB-së për të drejtat e njeriut, ka kohë që i bën presion Pekinit për ta lejuar atë të vizitojë Xinjiang-un.

Në fund të shkurtit, qeveria kineze tha se e kishte ftuar atë, por vizita nuk u realizua.

Trajtimin e popullatës ujgure Shtetet e Bashkuara e cilësojnë si gjenocid.

Në mars Uashingtoni vendosi sanksione ndaj disa zyrtarëve të Pekinit, masa që u ndoqën edhe nga Bashkimi Evropian.

ShBA gjithashtu kufizoi tregtinë me rajonin Xinjiang, duke sanksionuar disa kompani kineze të akuzuara për abuzim me ujgurët përmes punës së detyruar./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat