Aung San Suu Kyi del në gjyq në Mianmar

Azia

Aung San Suu Kyi del në gjyq në Mianmar

Më: 14 qershor 2021 Në ora: 20:07
Aung San Suu Kyi

Aung San Suu Kyi, udhëheqësja civile e përmbysur e Mianmarit, doli në gjyq të hënën në kryeqytetin Naypyidaw, për t’u përballur me dy prej disa akuzave për korrupsion ngritur kundër saj nga junta ushtarake që rrëmbeu pushtetin më shumë se katër muaj më parë.

75-vjeçarja Suu Kyi po përballet me akuzat për mbajtje pa leje të radiove të dorës dhe shkelje të kufizimeve të COVID-19 gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. Avokatët e saj u kanë thënë gazetarëve se ata presin që gjyqi të zgjasë deri në fund të korrikut.

Zonja Suu Kyi u arrestua më 1 shkurt, kur qeveria e saj civile u përmbys gati tre muaj pasi partia e saj Lidhja Kombëtare për Demokraci shënoi një fitore të thellë në zgjedhje. Përveç akuzave të mëparshme, Suu Kyi është akuzuar nga autoritetet për shkeljen e Ligjit për Sekretet Zyrtare, nxitjen e trazirave publike, keqpërdorimin e tokës për fondacionin e saj bamirës dhe pranimin e pagesave të paligjshme prej 600,000 dollarësh dhe 11 kilogramë ari.

Phil Robertson, zëvendës drejtori për Azinë për organizatën Human Rights Watch, tha në një deklaratë të hënën se të gjitha akuzat "duhet të rrëzohen", dhe të bëhet "lirimi i menjëhershëm dhe i pakushtëzuar" i zonjës Suu Kyi.

Avokati i saj Khin Maung Zaw, hodhi poshtë akuzat shtesë në një deklaratë me shkrim për shërbimin birmanez të Zërit të Amerikës javën e kaluar, duke i quajtur ato "absurde" dhe "të pabazuara".

Pretendimi për mashtrim elektoral

Junta ka përmendur manipulimet e gjera në zgjedhjet e 8 nëntorit si arsyen për grushtin e shteti, një pretendim që komisioni civil zgjedhor e mohoi. Junta ka kërcënuar të shpërndajë Lidhjen Kombëtare për Demokraci në lidhje me këto akuza.

Grushti i shtetit shkaktoi një krizë në vendin e Azisë Juglindore që çoi në demonstrata vdekjeprurëse kundër juntës dhe përplasje mes disa grupeve të armatosura etnike dhe juntës në pushtet.

Në një fushatë për të shtypur protestat, qeveria ka vrarë më shumë se 800 protestues dhe kalimtarë, sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat