Armenët, në hall për gjetjen e emrit të ri për “konjak”

Azia

Armenët, në hall për gjetjen e emrit të ri për “konjak”

Më: 23 qershor 2021 Në ora: 10:07
Një lloj konjaku armen. Foto:Artyom Geodakyan (TASS)

Prodhuesit armenë të rakisë nuk e dinë ende sesi do ta shesin produktin e tyre, që për shumë konsumatorë njihet si “konjak”, pasi të nisë së zbatuari një marrëveshje me Bashkimin Evropian, që ndalon përdorimin e kësaj fjale.

Prodhuesve armenë të rakisë u ndalohet që t’ua vënë emrin “konjak” pijeve të tyre deri më 2032, në këmbim të 3 milionë eurove, në kuadër të marrëveshjes me BE-në, që është miratuar në Jerevan më 10 qershor.

Marrëveshja po ashtu parasheh që prodhuesit e verës me gaz në Armeni, të mos përdorin shprehjen “shampanjë” në përshkrim të pijes brenda katër vjetëve.

Parlamenti armen ka thënë se marrëveshja synon “të promovojë dhënien fund të përdorimit të shprehjes ‘konjak’ në Bashkimin Evropian, për mallrat me origjinë nga Republika e Armenisë, si dhe të mbështesë zhvillimin e një emri të ri për rakinë armene”.

Kjo marrëveshje mund të ketë ndikim të madh te prodhuesit armenë të rakisë pasi 7.5 për qind – apo 250 milionë dollarë në vit – e eksporteve të këtij shteti janë “pije të forta alkoolike”.

Në Rusi, ku shitet rreth 79 për qind e rakisë së eksportuar nga Armenia, kjo pije është e favorizuar, pasi është shumë më e lirë sesa pija origjinale franceze.

Në dyqanet në Moskë, shumica e rakive armene kushtojnë të paktën 90 për qind më lirë sesa pijet franceze.

Image
Shishe të rakisë armene të njohur si "konjak", në Jerevan.

Rusishtfolësit rrallë e përdorin fjalën “raki” për ndonjë pije alkoolike të distiluar dhe prodhuesit armenë janë duke menduar si të shesin pijet e tyre te rusët.

Faqet online të shumicës së markave më të fuqishme armene nuk janë duke përdorur më fjalën “konjak” në javën e kaluar, ndërsa disa kompani më të vogla e përdorin ende.

Një zëdhënëse e kompanisë Yerevan Brandy Company, e cila eksporton rakinë e famshme Ararat, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se prodhuesit armenë janë duke “diskutuar” për mundësinë e ndryshimit të emrit, mirëpo “aktualisht nuk ekziston ndonjë mundësi e vlefshme në tavolinë”.

Ajo ka thënë se “është shumë herët për të diskutuar ndikimin e mundshëm” të ndryshimit të emrit në tregun rusishtfolës.

Image
Ushtarët rusë duke pirë raki gjatë pushimit më 1916.

Konjaku përbën një llojllojshmëri të rakive për zonën ku krijohet në jugperëndim të Francës.

Kompanive të prodhimit të kësaj rakie në Bashkimin Evropian, jashtë rajonit Cognac (Konjak) u ndalohet me ligj përdorimi i emrit konjak.

Armenët kanë nisur të prodhojnë këtë lloj rakie më 1998, duke kopjuar metodat e distiluesve francezë.

Përzierjet armene, të krijuara me vanilje dhe të bëra nga rrushi i rritur në fushat nën Malin Ararat, shumë shpejt kanë fituar lëvdata ndërkombëtare.

Sipas disa raportimeve franceze dhe angleze më 1902, gjyqtarët francezë i kanë dhënë të paktën një kompanie të drejtën për ta quajtur këtë lloj rakie “konjak”, pasi ka tejkaluar përzierjen franceze në një garë prestigjioze.

Image
Një fushë me rrush afër Malit Ararat.

Joseph V. Micalleg, autor amerikan dhe komentator politik, i cili ka shkruar për verërat dhe pije tjera alkoolike, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se prodhuesve kryesorë armenë u është dhënë leje të përdorin shprehjen “konjak” në fillim të viteve 1900, mirëpo ai ka thënë se kjo leje është tërhequr pas Luftës së Dytë Botërore, pasi “në realitet kishte dyshime nëse kreu i prodhuesve të konjakut kishte autoritetet për të dhënë atë të drejtë”.

Traktatet ndërkombëtare, që mbrojnë përcaktimin për prodhimet origjinale të Francës dhe kufizojnë përdorin e emrave gjeografikë në marka, i kanë dhënë Francës të drejtë vetëm më 1919, disa vjet pasi armenët kanë nisur të përdorin shprehjen “konjak”.

Micallef ka thënë se nuk beson se kompanitë armene të rakisë do të përballen me shumë vështirësi, pasi nisjes së zbatimit të marrëveshjes.

Analisti ka thënë se “përdorimi i shprehjes konjak ka qenë diçka irrituese për Francën dhe ajo ka dashur ta adresojë një gjë të tillë… pagesa ndaj Armenisë me një shumë të hollash është më shumë si gjest për ruajtje të fytyrës dhe nuk duket si diçka që shtyn prodhuesit armenë drejt nënshtrimit”.

Një kompani që do të preket menjëherë nga marrëveshja është Fabrika e Yerevanit për Shampanjë dhe Verë, e cila ka prodhuar një lloj të verës me gaz, të emërtuar sipas produktit ikonik francez nga vitet 1950.

Ashtu sikurse produkti i saj, edhe faqja www.armchampagne.am dhe emri i kompanisë do të duhet të ndërrojnë emrin, sipas marrëveshjes së re./Rel/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat