Qeveria izraelite: “Pfizeri” më i dobët kundër variantit “Delta”

Azia

Qeveria izraelite: “Pfizeri” më i dobët kundër variantit “Delta”

Më: 17 korrik 2021 Në ora: 20:50
Pfizer

Vaksina Pfizer është më “ e dobët” kundër variantit indian “Delta”, bën të ditur një raport i ri nga shteti i Izraelit.

Kryeministri i këtij vendi, Naftali Bennett ka mbajtur të premten një diskutim rreth koronavirusit me kabinetin e tij në Tel Aviv.

Izraeli deri më tani po udhëheq në botë me nivelin e vaksinimit, duke imunizuar deri më tani 61% të popullatës së tij me vaksinën Pfizer-BioNTech. Mirëpo, ky shtet tani po përballet me rritje të rasteve të reja me COVID-19.

Vetëm gjatë të enjtes, shkalla e testeve që kanë rezultuar pozitive me virus ishte 1,52%, që është shkalla më e lartë që nga marsi.

Sipas Qeverisë izraelite, vaksina Pfizer siguron 64% mbrojtje kundër varianteve të vaksinës.

“Për momentin mund të thuhet se aftësia mbrojtëse e vaksinave ekzistuese kundër mutacionit Delta është më e dobët se sa ishte shpresuar”, ka thënë kryeministri Bennett.

Varianti Delta është etiketuar si një “mutant i dyfishtë” nga Ministria e Shëndetësisë në Indi, për shkak se siç është thënë, ajo bart dy mutacione: L452R dhe E484Q.

Gjatë diskutimit për COVID-19, kryeministri izraelit Bennett ka adresuar edhe krizat në Britani të Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se të dy këto vende përdorin vaksinën Pfizer dhe tani po preken me të madhe nga varianti Delta.

Gjatë të enjtes në SHBA janë regjistruar 28,412 raste të reja me koronavirus, me një rritje prej 135% në krahasim me dy javë më parë.

Edhe në Britani të Madhe, gjatë të premtes numri i rasteve të reja pozitive ka arritur në mbi 50,000, që është shifra më e lartë që nga janari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat