Tensione të reja në kufirin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

Azia

Tensione të reja në kufirin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

Më: 18 korrik 2021 Në ora: 08:59
Foto ilustrim

Tensione dhe incidente të reja janë shënuar sërish në kufirin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në rajonin e Kaukazit jugor. Dy palët akuzuan njëra-tjetrin për bombardimin e rajonit kufitar, por pretendimet e tyre nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Ministria azere e Mbrojtjes deklaroi sot se trupat e saj ishin gjendur disa herë nën zjarrin e forcave armene dhe se ata ishin kundërpërgjigjur. Një ditë më parë, Armenia fajësoi vendin fqinj për sulme kundër ushtrisë së saj. Nuk ka njoftime për të vdekur, apo të plagosur.

Gjatë një vizite në Armeni, Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel u bëri thirrje të dyja palëve të tërhiqeshin nga rajoni kufitar. “Meqenëse ka dialog dhe negociata, atëherë duket e dobishme që trupat të tërhiqen nga zonat e diskutueshme, në mënyrë që të promovohet qetësia,” deklaroi Michel.

Dy ish-republikat sovjetike, Armenia dhe Azerbajxhani u përfshinë në luftime të ashpra në rajonin e diskutueshëm të Nagarno-Karabakut, nga shtatori deri në nëntor të vitit të kaluar, ku u vranë më shumë se 6500 persona. Pavarësisht armëpushimit në fuqi, tensionet vazhdojnë në rajonet kufitare, për të cilat të dy vendet fajësojnë njëra-tjetrën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat