Njëzetepesë persona të vdekur nga vërshimet në Kinë

Azia

Njëzetepesë persona të vdekur nga vërshimet në Kinë

Më: 21 korrik 2021 Në ora: 15:25
Pamje nga provinca Henan, e mbushur me ujë, pas shiut.

Vërshimet masive në qendër të Kinës kanë shkaktuar nivele rekorde të shiut, duke lënë 25 persona të vdekur dhe mbi 100,000 të evakuuar nga shtëpitë e tyre.

Dhjetëra qytete në provincën Henan, duke përfshirë kryeqytetin e kësaj province, Zhengzhou, janë prekur nga vërshimet.

Pamjet që kanë qarkulluar nëpër rrjete sociale kanë shfaqur njerëzit të mbuluar në ujë deri në krahëror.

Presidenti kinez, Xi Jinping ka thënë të mërkurën se “parandalimi i vërshimeve ka qenë gjë shumë e vështirë” dhe “fazë kritike”.

Ai ka shtuar se vërshimet veçse kanë rezultuar “në humbje të jetëve dhe dëmtim të pronave” dhe ka udhëzuar të gjitha departamentit t’i japin prioritet “sigurisë së njerëzve dhe pronave të tyre”, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve, Xinhua.

Provinca Henan, me rreth 94 milionë banorë, ka lëshuar alarmin më të lartë për të paralajmëruar qytetarët për motin.

Autoritetet lokale i kanë quajtur vërshimet “një në 100 vjet”.

Sa e rëndë është situata?

Shiu ka nisur që të bie nga fundjava, ndërsa stuhitë janë rritur të martën.

Të martën vonë, Zhengzhou dhe vende tjera në provincën Henan, janë përballur me vërshime në rritje.

Fluturimet dhe udhëtimet me tren janë pezulluar në disa zona të kësaj province.

Rreth 700 pasagjerë në Zhengzhou besohet se janë bllokuar në tren për 40 orë, kanë raportuar mediat lokale.

Shiu është raportuar të ketë dëmtuar edhe një digë në qytetin Luoyang.

Ushtarët janë angazhuar në këtë hapësirë, mirëpo përmes një deklarate për media kanë bërë të ditur se diga “mund të shkatërrohet në çdo kohë”.

Çfarë ka shkaktuar vërshimet?

Henan është përballur me “rri të rrëmbyeshëm, por të rrallë” nga dita e shtunë, ka thënë autoriteti për motin në Kinë.

Zhengzhou ka raportuar 624 milimetra shi të martën, duke shënuar “rekorde historike”.

Autoritetet për motin kanë parashikuar se në disa pjesë të këtij rajoni do të vazhdojë të ketë shi dhe stuhi të fuqishme.

Sasia e shiut që ka rënë në tri ditët e fundit në Zhengzhou është raportuar të jetë e njëjtë me atë të një viti të plotë.

Shumë faktorë kanë kontribuar në vërshime, mirëpo ndryshimet klimatike është thënë se janë më të theksuarat./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat