Iraku pret njoftimin e përfundimit të misionit luftarak të Shteteve të Bashkuara

Azia

Iraku pret njoftimin e përfundimit të misionit luftarak të Shteteve të Bashkuara

Më: 23 korrik 2021 Në ora: 16:10
Mustafa al-Kadhimi

Anëtarët e një delegacioni të lartë irakian në Uashington thonë se presin të arrijnë një marrëveshje me administratën Biden për t'i dhënë fund misionit luftarak amerikan në Irak, përpara takimit të hënën të Kryeministrit irakian Mustafa al-Kadhimi me Presidentin amerikan Joe Biden. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë Patsy Widakuswara njofton.

Një shpërthim vetëvrasës tronditi kryeqytetin Irakian këtë javë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 34 personave. Sulmi, për të cilin e mori përgjegjësinë grupi i Shtetit Islamik, është pjesë e dhunës që forcat Irakiane, të stërvitura dhe të pajisura nga Shtetet e Bashkuara, po përpiqen të parandalojnë. Mbështetja amerikane pritet të vazhdojë dhe ajo do të jetë në fokus të takimit të Presidentit Joe Biden me Kryeministrin irakian Mustafa al-Kadhimi të hënën në Shtëpinë e Bardhë, tha Sekretarja e Shtypit Jen Psaki, duke iu përgjigjur një pyetje të Zërit të Amerikës.

"Qeveria e tyre po kërkon mbështetje të vazhdueshme nga ne dhe koalicioni për trajnimin dhe aftësimin e forcave të tyre në logjistikë, ndarje të informacioneve të zbulimit dhe fusha të tjera të bashkëpunimit të sigurisë".

Shtetet e Bashkuara tërhoqën trupat në fund të Luftës së Irakut në vitin 2011. Por pas rigjallërimit të grupit Shteti Islamik në Irak dhe Siri në vitin 2014, forcat amerikane u rikthyen.

Në prill, Shtetet e Bashkuara dhe Iraku ranë dakord që misioni i trupave amerikane të përqëndrohej në trajnimin dhe këshillimin e forcave irakiane, me synimin për të tërhequr forcat luftarake nga Iraku.

Një marrëveshje mbi përfundimin e misionit luftarak të Shteteve të Bashkuara pritet të finalizohet të premten, tha Ministri i Jashtëm irakian Fuad Hussein në një intervistë me Shërbimin Kurd të Zërit të Amerikës.

"Por si dhe kur do të largohen do të ndjekë një afat kohor mbi të cilën bien dakord të dyja palët, si dhe çështje teknike dhe probleme të tjera që lidhen me sigurinë e forcave".

Ndërsa Bagdadi pret të tregojë se është në gjendje të garantojë sigurinë e vendit, grupet milicore të mbështetura nga Irani kanë vënë në shënjestër trupat amerikane dhe irakiane me sulme me raketa dhe dronë.

Qeveria irakiane po përballet gjithashtu me presion nga fraksionet politike të lidhura me iranianët që kërkojnë largimin e trupave amerikane.

Por Bagdadit i duhet mbështetja ushtarake e Shteteve të Bashkuara për të ruajtur stabilitetin.

"Kjo ka bërë që të dëgjojmë më shumë deklarata publike ku thuhet se Iraku është gati dhe kërkon një tërheqje ushtarake të Shteteve të Bashkuara, ose të paktën të trupave luftarake. Nga ana e Shteteve të Bashkuara është e njëjta gjë. Ka padyshim një objektiv nga ana e administratës Biden për t’u larguar nga Lindja e Mesme, për ta hequr atë nga lista e përparësive", thotë Natasha Hall me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Rreth 2,500 ushtarë amerikanë vazhdojnë të jenë në Irak, dhe një ndryshim në rolin e tyre nuk do të nënkuptojë domosdoshmërisht një zvogëlim të trupave. Por një njoftim zyrtar mbi përfundimin e misionit të tyre luftarak mund të shihet si një fitore politike për Kryeministrin al-Kadhimi përpara zgjedhjeve parlamentare të Irakut të planifikuara për në tetor./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat