Shtetet aziatike të shqetësuara me shpërthimin e ri të rasteve me COVID-19

Azia

Shtetet aziatike të shqetësuara me shpërthimin e ri të rasteve me COVID-19

Më: 30 korrik 2021 Në ora: 18:50
Foto ilustrim

Shpërthimi i rasteve të para të infektimit me koronavirus në qytetin kinez Nanzhing është përhapur në pesë krahina të tjera dhe në Pekin.

Së paku 200 persona janë infektuar, pasi rasti i parë u konfirmua më 20 korrik në aeroportin e qytetit.

Të gjitha fluturimet nga aeroporti i qytetit janë anuluar deri më 11 gusht. Zyrtarët kanë filluar testimet në masë, në kohën kur kanë nisur kritikat për dështimin e autoriteteve. 9 milionë banorët e qytetit – përfshirë edhe ata që e kanë vizituar, do të testohen, kanë bërë të ditur mediat kineze.

Zyrtarët kanë fajësuar variantin Delta për ngritjen e madhe të rasteve në Kinë.

Ndërkaq situatë alarmante vazhdon të mbizotërojë në Japoni. Shteti japonez ka vazhduar gjendjen e emergjencës në katër zona të saja, pas shpërthimit të rasteve në Tokio, ku po zhvillohen Lojërat Verore Olimpike.

Qeveria japoneze ka bërë të ditur se gjendja e emergjencës do të vazhdojë deri në fund të muajit gusht. Kjo pasi që kryeqyteti Tokio ka raportuar për numër rekord rastesh për të tretën ditë radhazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat