Ghani fajëson Uashingtonin për pasigurinë në Afganistan

Azia

Ghani fajëson Uashingtonin për pasigurinë në Afganistan

Më: 2 gusht 2021 Në ora: 14:20
Presidenti afgan, Ashraf Ghani, gjatë një fjalimi në parlamentin afgan më 2 gusht 2021.

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, ka thënë se vendimi "i papritur" i Uashingtonit për tërheqjen e trupave nga vendi i tij, është arsyeja e situatës së pasigurisë.

Trupat qeveritare afgane po luftojnë kundër talibanëve në Lashkar Kah, kryeqytetin e provincës jugore Helmand.

Talibanët filluan një ofensivë të koordinuar, vetëm disa orë pasi qeveria njoftoi vendosjen e qindra forcave në rajon.

Militantët talibanë kanë vazhduar sulmet edhe në të paktën dy rajone tjera.

Për situatën aktuale, presidenti afgan, fajësoi "vendimin e papritur për tërheqjen e trupave ndërkombëtare" dhe tha se ai kishte paralajmëruar Uashingtonin për "pasoja" të tilla.

Komentet ai i bëri gjatë një fjalimi në parlamentin afgan.

Që nga fillimi i muajit maj luftimet janë intensifikuar në Afganistan pasi forcat e huaja filluan tërheqjen pas 20 vitesh të fillimit të luftës.

Tërheqja e plotë pritet të ndodhë deri në fund të gushtit.

Qeveria afgane dhe talibanët janë përfshirë në bisedime mirëpo ato kanë ngecur.

Militantët talibanë kanë vënë nën kontroll dhjetëra qarqe dhe rajone kufitare ndërsa forcat qeveritare thanë se po i përqëndronin përpjekjet e tyre në zona më të populluara.

Në fillim të vitit 2020 Shtetet e Bashkuara ranë dakord me talibanët për të tërhequr trupat e tyre në këmbim të garancive talibane se nuk do të lejojnë përdorimin e territorit afgan për terrorizëm./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat