Me rikthimin e talebanëve, gratë afgane të shqetësuara për të ardhmen

Azia

Me rikthimin e talebanëve, gratë afgane të shqetësuara për të ardhmen

Më: 2 gusht 2021 Në ora: 20:13
Gratë afgane

Raundi më i fundit i bisedimeve të paqes në Katar mes talebanëve dhe qeverisë afgane përfundoi më 19 korrik pa ndonjë progres të dukshëm. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mahdy Mehraeen, refuzimi i mëparshëm i talebanëve për të pranuar liritë e grave ka shqetësuar për të ardhmen shumë afganë.

Që nga rënia nga pushteti i talebanëve në Afganistan në vitin 2001, miratimi i legjislacionit modern civil u ka mundësuar grave afgane të përmirësojnë jetët e tyre, si nga pikëpamja sociale, ashtu edhe nga ajo politike.

Ato mund të punojnë, studiojnë, votojnë, mund të zgjidhen në parlament dhe të mbajnë funksionet më të larta politike dhe menaxheriale. Kabineti qeveritar afgan ka patur disa gra ministre gjatë 20 viteve të fundit.

"Brezi i ri i Afganistanit nuk është më një brez që mund të pranojë ideologjinë ekstremiste të talebanëve. Shpresojmë që situata që do të krijohet do të jetë diçka e pranueshme për shoqërinë afgane, në veçanti për gratë", thotë Zahra Fayazi Afghan, trajnere e ekipit kombëtar të volejbollit.

Por realiteti është se trupat amerikane do të largohen në shtator. Bisedimet e paqes mes qeverisë afgane dhe talebanëve janë bllokuar dhe gratë kanë qenë të nënpërfaqësuara gjatë bisedimeve të kaluara.

Në fund të qershorit zyrtarët talebanë bënë një deklaratë duke premtuar se në Afganistanin e pas konfliktit, gratë do të ishin në gjendje të kërkonin punësim dhe arsimim. Por, në zonat e Afganistanit të rimarra nga talebanët ka njoftime për kufizime që u imponohen grave, dhe kjo është shqetësuese për shumë afganë.

"Frika jonë është se talebanët do të kthehen me të njëjtën ideologji si më parë, me të njëjtën egërsi dhe barbarizëm të viteve të tyre të mëparshme. Ne shpresojmë që rezultati i bisedimeve të paqes të jetë diçka që nuk vendos kufizime për njerëzit, veçanërisht për gratë dhe fëmijët”, thotë Habiba Sadeqi, zyrtare e Komunës së Kabulit.

Regjimi i talebanëve në Afganistan në vitet 1995 - 2001 dhe zbatimi i ligjit fondamentalist islamik shënoi një periudhë të errët për gratë afgane. Atyre nuk u lejohej të largoheshin nga shtëpia, nuk u lejohej puna ose studimi dhe u detyruan të mbanin hixhabin e plotë, ose burkën, në rrugë gjatë udhëtimit dhe madje edhe në raste urgjente.

Gratë nuk kishin praktikisht të drejtën të përcaktonin fatin e tyre politik dhe shoqëror dhe ishin tepër të izoluara. Shtypja ndaj grave ishte e pashembullt në historinë afgane.

“Shqetësimi më i madh i grave dhe vajzave është që të kenë të drejtën për të zgjedhur në të gjitha fushat e jetës. Nga dalja nga shtëpia për të përmbushur nevojat e tyre më të thjeshta, te zgjedhja e bashkëshortit dhe zgjedhja e studimit, punës dhe më shumë. Gratë shqetësohen se nëse talibanët kthehen, ato do të burgosen në shtëpi dhe nuk do të kenë më të drejtë të shohin diellin. Talebanët i shikojnë gratë ashtu si një burrë shikon sendet që i përkasin dhe gjërat materiale. Edhe më keq, një burrë i mbron sendet e tij, por talebanët nuk e bëjnë këtë për gratë. Pikëpamjet e tyre nuk lënë vend për shpresë për gratë afgane", thotë Razia Danesh, nga Universiteti Kateb në Kabul.

Edhe nëse bisedimet afgane për paqen rezultojnë në një marrëveshje, aktivistët afganë për të drejtat e grave shqetësohen se talebanët do të përpiqen të përdorin ndikimin e tyre të rikthyer, për të kufizuar liritë e grave./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat