“Protesta me burka”: Gruaja s’mund të jetë ministre, duhet të lindë fëmijë

Azia

“Protesta me burka”: Gruaja s’mund të jetë ministre, duhet të lindë fëmijë

Më: 11 shtator 2021 Në ora: 13:36
Gratë afgane

Rreth 300 studente dhe vajza të reja të Kabulit protestuan të shtunën në favor të Talibanit, duke u distancuar nga gratë e emancipuara afgane të cilat, sipas tyre, e braktisën Afganistanin. Roli i grave në shoqëri ka pësuar goditje me ardhjen e fundamentalistëve të vjetër në pushtet.

Gratë afgane kishin paralajmëruar se ato i priste një e ardhme e errët nëse Talibani do të vinte në pushtet, dhe po aq të errëta qenë rrobat që veshën gati 300 vajza e gra, të cilat përqafuan regjimin e ri islamik, ultrakonservator.

Studentet e mbuluara me të zeza kokë-e-këmbë marshuan të shtunën në Kabul me parulla pro Talibanit.

"Gratë që e braktisën Afganistanin nuk na përfaqësojnë neve", "Këtu do ndërtojmë atdheun tonë", "Jemi të lumtura me muxhahedinët" ishin disa nga mesazhet që vajza e gra mbanin me duart e mbuluara teksa shoqëroheshin nga talibanë të armatosur.

Pushtetarët e rinj thonë se do të tregohen më pak ekstremë me qëndrimet kundrejt grave sesa kur e udhëhiqnin vendin në vitet 1996-2001.

Këtë radhë ato do të lejohen të arsimohen, por në klasa të ndara nga meshkujt dhe të punojnë nëse lloji i punës përshtatet me parimet e Islamit.

Gratë e emancipuara afgane protestuan këtë javë për të drejtën edhe të përfaqësimit në politikë e qeveri, por një zëdhënës i Talibanit tha se, sipas tij, gratë nuk mund të jenë ministre.

"Është si t'i vendosësh atyre në qafë diçka që nuk e mbajnë dot. Gratë nuk kanë nevojë që të jenë në qeveri. Ato duhet të lindin fëmijë. Janë gjysma e shoqërisë është i gabuar koncepti i gjysmës sepse mund t'i futësh në kabinet dhe të mos kenë asnjë rol, t'u dhunosh atyre të drejtat dhe a nuk pati vetëm prostitucion në zyrat e qeverisë kukull të SHBA-së 20 vitet e shkuara."

Talibani i ka ndaluar tubimet kundër qeverisë së re ndërsa Kombet e Bashkuara denoncuan të premten faktin se protestuesit paqësorë ndeshën këto javë plumba e dhunë, madje disa mbetën viktima të luftëtarëve talibanë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat