Gratë afgane protestojnë në Kabul, kërkojnë të drejta për studim dhe punësim

Azia

Gratë afgane protestojnë në Kabul, kërkojnë të drejta për studim dhe punësim

Më: 19 shtator 2021 Në ora: 17:53
Foto ilustrim

Disa gra afgane kanë mbajtur të dielën protesta në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, për të kërkuar të drejta për punë dhe studim.

Video-materialet e shpërndara në rrjetet sociale kanë shfaqur një grup të grave të mbledhura para asaj që deri vonë ka qenë Ministri për Çështje të Grave, duke bërtitur “të drejta të grave dhe të drejta të njeriut”.

Disa kanë mbajtur pankarta duke kërkuar pjesëmarrje të grave në jetën publike.

“Një shoqëri në të cilën gratë nuk janë aktive, është shoqëri e vdekur”, është parë të jetë shkruar në një pankartë.

Protesta ka zgjatur rreth 10 minuta. Gratë janë larguar pas një përballjeje verbale me një burrë të paidentifikuar.

Në ditët e fundit, Qeveria e udhëhequr nga talibanët, ka lëshuar një mori dekretesh, përmes së cilave ka kthyer mbrapsht të drejtat e vajzave dhe grave.

Vajzave afgane u është pamundësuar kthimi në shkolla të mesme më 18 shtator, pasi Qeveria e udhëhequr nga talibanët, ka urdhëruar që vetëm djemtë dhe mësuesit burra të kthehen nëpër klasa.

Shkollat fillore tashmë janë rihapur dhe djemtë e vajzat janë ndara nëpër klasa dhe disa mësuese janë kthyer në punë.

Më 19 shtator, kryetari i përkohshëm i Kabulit, u ka thënë punëtoreve në Qeverinë e qytetit që të rrinë nëpër shtëpi, pasi puna do t’iu lejohet vetëm atyre që nuk mund të zëvendësohen nga burrat.

Javën e kaluar, talibanët kanë mbyllur Ministrinë për Çështje të Grave, duke e zëvendësuar me Ministrinë për “përhapje të virtytit dhe parandalimit të imoralitetit” dhe i është dhënë detyrë që të zbatojë ligjin islamik.

Prej kur talibanët kanë marrë pushtetin në Kabul, gratë afgane kanë mbajtur disa protesta në Kabul dhe qytete tjera, duke kërkuar që islamistët e linjës së ashpër të respektojnë të drejtat e njeriut.

Protestat janë shpërndarë dhunshëm nga luftëtarët talibanë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat