Palestinezët i presin me mosbesim premtimet izraelite për ekonominë

Azia

Palestinezët i presin me mosbesim premtimet izraelite për ekonominë

Më: 19 shtator 2021 Në ora: 19:59
Foto ilustrim

Presidenti amerikan Joe Biden u ka bërë thirrje udhëheqësve të rinj të Izraelit të ndërmarrin hapa për të ndërtuar besimin se do të punojnë për të përmirësuar jetët e palestinezëve, duke bërë që zyrtarët izraelitë të shpallin një paketë që përfshin 120 milionë dollarë hua dhe 16,000 leje pune për palestinezët në Izrael. Por siç njofton për Zërin e Amerikës korrespondentja Linda Gradstein nga qyteti i Ramallahut në Bregun Perëndimor, këto gjeste po priten me skepticizëm nga palestinezët.

Ramallahu supozohej të ishte kryeqyteti financiar i një shteti të ri palestinez. Por 25 vjet pas marrëveshjes së paqes në Oslo mes palestinezëve dhe izraelitëve, premtimi i një shteti të pavarur është shkatërruar si ky flamur që valëvitet mbi një qendër biznesi në Ramallah.

Në një përpjekje për të mbështetur ekonominë palestineze pa hyrë në negociata politike, Izraeli njoftoi kohët e fundit ato që thotë se janë gjeste të vullnetit të mirë, duke përfshirë zgjerimin e zonës së peshkimit të Gazës, lejimin e materialeve për rindërtimin në Gaza dhe huadhënien e 120 milionë dollarëve për Autoritetin Palestinez.

Shumë ekonomistë dhe biznesmenë palestinezë thonë se këto hapa nuk janë të mjaftueshme.

“Këto nuk janë favore. Ato mund të shiten si masa për ndërtimin e besimit, por këto janë të drejta që Izraeli po ia rikthen popullit të Gazës. Sa i përket Bregut Perëndimor dhe çështjes së përgjithshme të masave të ndërtimit të besimit - fjala "masa për ndërtimin e besimit" ka një histori të zezë në negociatat ekonomike palestineze me Izraelin për 25 vjet. Kemi parë kaq shumë prej tyre që nuk kanë sjell asgjë", thotë Raja Khalidi me Institutin Palestinez për Kërkime Ekonomike.

Shumë nga nismat ekonomike izraelite u njoftuan pas një takimi të fundit mes ministrit izraelit të mbrojtjes Benny Gantz dhe udhëheqësit të Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas, takimi i parë i tillë i nivelit të lartë në dhjetë vite.

"Rëndësia e takimit mes Gantzit dhe Abbasit qëndron vetëm tek ekonomia. Ai takim do të ketë ndikim, ndikim ekonomik. Por jo të qëndrueshëm, jo afatgjatë. Thjesht sepse këto hapa - pa u mbështetur në atë që ne e quajmë zgjidhje politike, zgjidhje të drejtë politike - nuk do të zgjasin. Sepse së shpejti ndoshta do të kthehemi në pikën zero dhe do të ketë përplasje dhe mosmarrëveshje me Izraelin", thotë Naser Abdelkarim, profesor i ekonomisë në Universitetin arab amerikan.

Parashikimi i tij për përplasjet e reja u bë realitet gjatë fundjavës kur Hamasi hodhi raketa në jug të Izraelit dhe Izraeli u përgjigj me sulme ajrore. Disa analistë izraelitë pajtohen me idenë se këto masa ekonomike nuk përfaqësojnë një zgjidhje afatgjatë.

"Mendoj se këto gjeste sjellin një ndryshim të momentit. Me fjalë të tjera, nuk janë thelbësore. Nuk është ndonjë përparim historik që njerëzit mendojnë se është i arritshëm këtu, nëse vetëm njëra nga palët bënte këtë apo atë veprim. Një gjë e tillë as nuk pretendohet. Sidoqoftë, në aspektin sipërfaqësor, këto do të kenë rëndësi", thotë Amotz Asa’el me institutin Hartman.

Ashtu si palestinezët, Izraeli po paralajmëron kundër çdo pritshmërie të tepruar.

Në takimin e tij të fundit me Presidentin Biden, kryeministri izraelit Naftali Bennett shpjegoi se qeveria e tij, e cila përfshin partitë politike të të gjithë spektrit, nuk do të bjerë dakord për lëshime të mëdha politike ndaj palestinezëve, përveç këtyre gjesteve ekonomike./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat