Talibanët thonë se kanë eliminuar një celulë të IS-it

Azia

Talibanët thonë se kanë eliminuar një celulë të IS-it

Më: 4 tetor 2021 Në ora: 14:08
Një luftëtar taliban bën roje derisa besimtarët myslimanë falen në një xhami në Kabul më 1 tetor 2021.

Talibanët njoftuan se kanë shkatërruar një celulë të grupit ekstremist Shteti Islamik (IS) përmes një operacioni të kryer vetëm disa orë pas shpërthimit vdekjeprurës afër një xhamie në Kabul.

Njoftimin e bëri zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, përmes një postimi në rrjetin social Twitter. Ai shkroi se të gjithë anëtarët e celulës së IS-it janë vrarë. Operacioni është zhvilluar nga një njësit special i forcave të talibanëve.

Sulmi afër xhamisë në Kabul ishte ndër më të rëndit që kur talibanët morën nën kontroll Afganistanin.

Menjëherë pas sulmit askush nuk e mori përgjegjësinë, por Mujahid i tha Radios Evropa e Lirë më 3 tetor se bazuar në hetimet fillestare në sulm janë përfshirë militantët e lidhur me IS-in.

Në Afganistan, grupi Shteti Islamik vepron si Provinca Khorasan e Shtetit Islamik (IS-K). Ky grup është një armik i talibanëve.

Sulmet e militantëve janë shtuar që kur talibanët morën nën kontroll vendin.

Sulmi në xhaminë në Kabul ndodhi gjatë një ceremonie lutjeje për vdekjen e nënës së zëdhënësit të talibanëve, Zabihullah Mujahid.

Sayed Khosty, një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga talibanët, i tha Radios Evropa e Lirë se dy persona u vranë dhe dy u plagosën. Ai shtoi se tre persona ishin arrestuar në lidhje me sulmin.

Militantët e IS-K kanë pretenduar disa sulme kundër talibanëve, përfshirë disa vrasje në kryeqytetin, Xhalalabad.

Talibanët dhe militantët e IS-K janë rivalë dhe kanë luftuar mes vete edhe para se talibanët të merrnin kontrollin e Afganistanit në gusht, teksa trupat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, u tërhoqën nga vendi.

Shumica e analistëve, si dhe Kombet e Bashkuara, vlerësojnë se IS-K ka më pak se 2,000 luftëtarë, krahasuar me 100,000 sa kanë në dispozicion talibanët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat