Tensionet Tajvan-Kinë rrisin shqetësimet

Azia

Tensionet Tajvan-Kinë rrisin shqetësimet

Më: 8 tetor 2021 Në ora: 07:57
Fotografi ilustruese: Një avion luftarak i Tajvanit.

Shtetet e Bashkuara janë “thellësisht të shqetësuara” për veprimet që minojnë paqen në Ngushticën e Tajvanit, tha këshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jake Sullivan.

Komentet e tij për BBC-në vijnë pasi Kina dërgoi një “numër rekord” avionësh ushtarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit, për katër ditë me radhë.

Tajvani e konsideron veten si shtet sovran, por Kina e sheh atë si provincë të shkëputur.

Pekini nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për të arritur bashkimin.

“Ne do të ngrihemi dhe do të flasim, si privatisht, ashtu edhe publikisht, kur shohim aktivitete që janë thelbësisht destabilizuese”, tha Sullivan.

I pyetur nëse SHBA-ja është e përgatitur për të ndërmarrë veprime ushtarake në mbrojtje të Tajvanit, Sullivan tha: “Ne do të ndërmarrim veprime që ajo ditë të mos vijë kurrë”.

Tajvani është shkëputur nga Kina kur komunistët kanë marrë pushtetin në vitin 1949.

Autoritetet e Tajvanit kanë raportuar se afro 150 avionë të forcave ajrore kineze kanë fluturuar në zonën e mbrojtjes ajrore, ditëve të fundit.

Tajvani, në fakt, është ankuar për më shumë se një vit për aktivitete të tilla.

Agjencia e lajmeve AFP citoi një zyrtar të Pentagonit të ketë thënë se forcat speciale amerikane janë duke trajnuar në heshtje trupat tajvaneze, tash e sa muaj.

Zyrtari konfirmoi në masë të madhe një raport të gazetës Wall Street Journal, ku u tha se trajnimet po bëhen që gati një vit.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit nuk pranoi të komentojë raportin, por zëdhënësi i Pentagonit, John Supple, tha se në përgjithësi, mbështetja amerikane për ushtrinë e Tajvanit vlerësohet në bazë të nevojave të saj të mbrojtjes.

“Ne i bëjmë thirrje Pekinit që të respektojë angazhimin e tij për zgjidhjen paqësore të dallimeve”, tha Supple.

Shtetet e Bashkuara e furnizojnë Tajvanin me armë, përfshirë raketa për mbrojtje dhe avionë luftarakë.

Tajvani nuk kërkon konfrontim ushtarak, por do të bëjë gjithçka që duhet për të mbrojtur lirinë e tij, tha të premten presidentja e këtij vendi, Tsai Ing-wen.

Duke folur në një forum ekonomik në kryeqytetin Taipei, presidentja Tsai tha se shpreson të ketë “bashkëjetesë paqësore, të qëndrueshme, të parashikueshme dhe reciprokisht të dobishme me fqinjët”. Por, shtoi ajo, Tajvani do të bëjë gjithçka që duhet për të mbrojtur lirinë e tij dhe mënyrën demokratike të jetesës.

Kina thotë se po vepron për të mbrojtur sigurinë dhe sovranitetin e saj, ndërsa ka fajësuar SHBA-në, që është mbështetësja më e rëndësishme ndërkombëtare e Tajvanit, për tensionet aktuale.

Tsai tha se prosperiteti në Indo-Paqësor ka nevojë për një mjedis paqësor, të qëndrueshëm dhe transparent.

“Por, kjo gjithashtu sjell tensione të reja dhe kontradikta të sistemit, që mund të kenë efekt shkatërrues në sigurinë ndërkombëtare dhe ekonominë globale, nëse nuk trajtohen me kujdes”, tha Tsai.

“Tajvani është plotësisht i angazhuar në bashkëpunimin me lojtarët rajonalë, për të parandaluar konfliktin e armatosur në Kinën Lindore, në Detin e Kinës Jugore dhe në Ngushticën e Tajvanit”, shtoi ajo.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat