Rritet niveli i diabetit në Indi për shkak të mbipeshës

Azia

Rritet niveli i diabetit në Indi për shkak të mbipeshës

Më: 2 qershor 2017 Në ora: 21:31
Ilustrim

Gjatë shtatë viteve të fundit, numri i fëmijëve në Indi të klasifikuar obezë ka arritur në 30% të popullsisë. Kjo shifër pritet të dyfishohet gjatë tetë viteve të ardhshme. Pesha e shtuar ka sjellë edhe një rritje të diabetit të tipit 2. Mjekët po japin alarmin për këtë prirje shqetësuese, e cila në shumicën e rasteve mund të trajtohet nëpërmjet dietës dhe ushtrimeve fizike.

Rohin Sarin është një fëmijë i zakonshëm, por të cilit i duhet të marrë insulinë katër herë në ditë nëpërmjet injeksionit.

“Kam gjilpërat e insulinës për të zëvendësuar insulinën që nuk e prodhon më pankreasi im. Prandaj duhet të bëj disa gjilpëra në ditë, shpesh edhe përpara se të ha diçka”, thotë ai.

15-vjeçari ka diabet të tipit 2.

“Shpesh më ndikon negativisht, p.sh. nëse luaj shumë ose nuk ushqehem siç duhet, më bie niveli i sheqerit. Pastaj më merren mendtë dhe nuk jam më në gjendje”, thotë ai.

E ëma, mjeke në ushtrinë indiane, e ka futur të gjithë familjen në një regjim diete dhe ushtrimesh.

“Ushqimet ‘fast food’ nuk u duhen dhënë fare fëmijëve. Gjithashtu, të merresh me një sport të çfarëdolloji, të mban të shëndetshëm, në veçanti nëse e fillon në moshë të re”, thotë e ëma, Gunjan Malhotra.

Rreth 30% e adoleshentëve indianë janë obezë, një faktor kryesor që mund të sjellë diabetin e tipit 2.

“Po rritet edhe numri i fëmijëve obezë, që është shkaktar kryesor i diabetit dhe problemeve të tjera. Stresi është një tjetër faktor i rëndësishëm. Në grupmoshën 14 – 18 vjeç u nënshtrohen gjithëfarëllojesh stresi”, thotë pediatri Amit Jain.

Vende të tjera e kanë krijuar tashmë përvojën se si të ulin përqindjen e diabetit.

“Kemi nivel të lartë diabeti, por duke mësuar nga vendet e zhvilluara dimë se çfarë politikash duhet të ndjekim për të shmangur etapat përmes të cilave kanë kaluar këto vende dhe për të kaluar direkt tek ulja e pranisë së diabetit në popullsi”, thotë Monika Arora, e Fondacionit për Shëndetin Publik të Indisë.

Nëse nuk merr masa, India do të përballet me një krizë të shëndetit publik, pasi diabeti mund të shkaktojë verbim, probleme të zemrës dhe të veshkave, madje edhe hemoragji në tru.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat