Katari: Përmbushja e kërkesave të vendeve arabe është e pamundur

Azia

Katari: Përmbushja e kërkesave të vendeve arabe është e pamundur

Më: 3 korrik 2017 Në ora: 14:50
Përgjigja ndodhej në një mesazh që emiri i Katarit, sheiku Tamim ben Hamad Al Thani ia dorëzoi emirit të Kuvajtit, sheiku Sabah al Ahmad Al Sab.

(E plotësuar) - Shefi i diplomacisë së Katarit, sheiku Mohamed bin Abdulrahman al-Tani deklaroi sot se është e pamundur që të përmbushen kërkesat e vendeve arabe në kohën e krizës diplomatike në Gjirin Persik, në momentin kur po afrohet afati i dhënë këtij shteti për t’u përgjigjur.

Al Tani në konferencën për media në Doha tha se lista me kërkesat e vendeve arabe, të cilat e kanë izoluar Katarin, “janë jo reale dhe të pazbatueshme”.

Shuarja e televizionit Al-Jazeera, ulja e nivelit të marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe mbyllja e bazës ushtarake turke janë disa nga 13 kërkesat, të cilat shtetet arabe i kanë dërguar Katarit për miratim.

Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni i kanë dërguar Katarit listën me kërkesa, të cilat duhet përmbushur në afat prej dhjetë ditësh nëse dëshiron t’i hiqen sanksionet diplomatike dhe ekonomike.

Katari ka hedhur poshtë akuzat e vendeve arabe se po e financon terrorizmin dhe po destabilizon rajonin.

Kërkesat shtetit të Katarit ia ka dërguar Kuvajti, i cili është ndërmjetës në zgjidhjen e krizës.

Në mesin e kërkesave janë disa kushte, për të cilat Katari ka bërë me dije se nuk do t’i përmbushë, siç është shuarja e Al-Jazeera. Vendet arabe kërkojnë nga Katari që të paguajë kompensimet për humbjen e jetës dhe humbjet tjera financiare, të cilat i ka shkaktuar politika e Katarit gjatë viteve të kaluara. Shuma e kompensimit, siç thuhet, do të konfirmohet në koordinim me Katarin.

Katari duhet të ndalojë financimin e të gjitha grupeve ekstremiste, të cilat SHBA i konsiderojnë si terroriste, përfshirë Shtetin Islam, Vëllazërinë Myslimane, Hezbollahun libanez dhe degën e Al-Kaidës në Siri, të njohur si fronti Nusra.

Nga Katari kërkohet që të mbyllë përfaqësitë diplomatike në Iran, të dëbojë nga shteti pjesëtarët e Gardës Revolucionare të Iranit dhe të respektojë sanksionet amerikane të vendosura ndaj Iranit. 

Në listë kërkohet edhe ndalimi i bashkëpunimit ushtarak me Turqinë brenda vendit dhe harmonizimi i politikave ekonomike, ushtarake, sociale, politike me Këshillin për bashkëpunim të vendeve të Gjirit Persik, grup rajonal ky i cili është krijuar me qëllim të luftimit të ndikimit të Iranit.

Nëse Katari pranon kërkesat, lista do të rishikohet një herë në muaj gjatë vitit të parë, pastaj çdo tre muaj gjatë vitit të dytë. Zbatimi i kërkesave do të vëzhgohet përgjatë dhjetë viteve të ardhshme.

Katari i përgjigjet fqinjëve të tij

Katari, i kritikuar për mbështetje të dyshuar të islamikëve ekstremistë dhe për afrimin me Iranin, i dorëzoi sot ndërmjetësit kuvajtian përgjigjen zyrtare ndaj kërkesave të Arabisë Saudite dhe aleatëve të saj, që kanë zgjatur me 48 orë ultimatumin e tyre ndaj këtij vendi.

Përgjigja ndodhej në një mesazh që emiri i Katarit, sheiku Tamim ben Hamad Al Thani ia dorëzoi emirit të Kuvajtit, sheiku Sabah al Ahmad Al Sabah. Përmbajtja e këtij mesazhu nuk është publikuar.

Të dielën në mesnatë që përfundonte ultimatumi prej 10 ditësh, Katari kishte premtuar se do t’i jepte një përgjigje Arabisë Saudite dhe aleatëve të saj për kërkesat e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat