Kryeministri irakian përgëzon luftëtarët për fitoren e madhe në Mosul

Azia

Kryeministri irakian përgëzon luftëtarët për fitoren e madhe në Mosul

Më: 5 korrik 2017 Në ora: 18:18
Kryeministri irakian Haider al-Abadi

Kryeministri irakian Haider al-Abadi ka përgëzuar luftëtarët irakianë për fitoren e madhe në Mosul, siç e quajti ai, megjithëse luftimet ndaj militantëve të Shtetit Islamik vazhdojnë në pjesën e vjetër të qytetit të Mosulit. Kryeministri irakian tha se në ditët në vazhdim do të vijojnë përpjekjet për të forcuar stabilitetin dhe për të ndihmuar për rikthimin e të larguarve në shtëpitë e tyre.

Forcat irakiane kaluan dje përmes rrënojave të spitalit kryesor të Mosulit, pasi morën kontrollin e kësaj lagjeje.

“Ky është objekti i fundit që çliruam në lagjen ‘Shifa’. Të gjithë militantët u vranë. Me ndihmën e Zotit, jemi gati të çlirojmë të gjithë Irakun, nga veriu në jug”, thotë rreshteri Mortada Yasser, i Njësisë irakiane të Reagimit të Shpejtë.

Në Bagdat, Kryeministri Haider al-Abadi përgëzoi ushtarakët.

“Përgëzoj të gjithë luftëtarët kurajozë dhe familjet irakiane, në zonat e çliruara apo kudo në Irak, për arritjen e kësaj fitoreje të madhe në Mosul dhe për mposhtjen e Shtetit fals Islamik”, tha ai.

Ndërsa Kryeministri po fliste, militanët e Shtetit Islamik vazhduan të rezistonin me ashpërsi në pjesën e vjetër të qytetit të Mosulit, ku rrugët e ngushta nuk mundësojnë kalimin e autoblindave të mëdha ushtarake. Qeveria irakiane e filloi ofensivën për rimarrjen e qytetit të dytë më të madh të vendit në tetorin e vjetshëm. Shumë civilë janë vrarë gjatë luftimeve dhe 750 mijë u larguan nga qyteti.

“Vuajtëm prej urisë dhe etjes. Jetuam në frikë dhe panik. Qëndronim të kyçur në shtëpitë tona dhe as nuk shikonim përjashta. Kemi ndenjur brenda për gati dy muaj”, thotë Ammar Ahmed, banor i pjesës së vjetër të Mosulit.

Kryeministri Abadi tha se rikthimi i banorëve është një ndër prioritetet e qeverisë.

“Kemi dhënë udhëzime për të krijuar stabilitet në zonat e çliruara. Kemi ekipe kombëtare dhe lokale që po punojnë në Mosul, dhe disa vende kanë ofruar asistencë për rindërtimin dhe rikthimin e njerëzve”, tha ai.

Mosuli ka qenë nën kontrollin e Shtetit Islamik që në vitin 2014. Mesazhi i Kryeministrit Abadi u dha ndërsa u mbushën tre vjet nga dita kur udhëheqësi i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi shpalli kalifatin islamik nga Xhamia e Madhe e Mosulit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat