Gjenevë: Ka filluar rundi i ri i bisedimeve për Sirinë

Azia

Gjenevë: Ka filluar rundi i ri i bisedimeve për Sirinë

Më: 10 korrik 2017 Në ora: 19:01
Staffan de Mistura gjatë pjesëmarrjes në bisedimet e sotme indirekte për paqe në Siri që kanë filluar në Gjenevë të Zvicrës

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura, e ka hapur sot një rund të ri të bisedimeve indirekte paqësore ndërmjet përfaqësuesve të qeverisë së Sirisë dhe liderëve opozitarë.

Duke folur në një kofnerencë për gazetarë, në fillim të bisedimeve pesëditëshe, zoti Mistura tha se marrëveshjet për de-eskalimin e luftës në Siri, mund të çojnë në një fazë të stabilizimit të vendit, por marrëveshjet e tilla duhet të jenë një masë e përkohshme dhe për ta evituar ndarjen.

Fillimi i rundit të shtatë të bisedimeve është përputhur me ditën e parë të plotë të armëpushimit për pjesën jugore të Sirisë, që është ndërmjetësuar javën e kaluar nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Jordania.

Marrëveshja, që është përpjekja e parë paqeruajtëse për këtë luftë nga administrata e presidentit, Donald Trump, ishte arritur jashtë kornizës së bisedimeve të Gjenevës.

De Mistura tha se në Aman të Jordanisë po zhvillohen bisedime për ta monitoruar implementimin e armëpushimit për pjesën jugore të Sirisë.

Zëdhënësi i grupit opozitar për negociata, Yehaya al-Aridia, i tha agjencisë AFP se ka “pritje modeste” nga rundi më i ri i bisedimeve.

Të gjashtë përpjekjet e deritashme në bisedimet në Gjenevë, që po ashtu ishin udhëhequr nga zoti Mistura, patën përfunduar në muajin maj pa ndonjë progres të prekshëm.

Opozita vahdon të insistoj se presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, duhet të tërhiqet, si pjesë e çfarëdo marrëveshjeje, derisa qeveria e Sirisë konsideron se roli i Assadit nuk është temë e negociatave.

Prej marsit të vitit 2011, kur ka filluar konflikti në Siri, janë vrarë më se 320 mijë njerëz, ndërsa miliona njerëz janë zhvendosur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat