Forcat siriane përparojnë drejt zonës naftëmbajtëse

Azia

Forcat siriane përparojnë drejt zonës naftëmbajtëse

Më: 5 shtator 2017 Në ora: 07:13
ilustrim

Siria njoftoi të hënën se forcat e saj ushtarake dhe aleatët e tyre po i afrohen qytetit të Deir el-Zourit, në përpjekjen për t'i dhënë fund kontrollit trevjeçar të Shtetit Islamik ndaj këtij qyteti të pasur me naftë, që ndodhet në kufi me Irakun.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Britani tha se forcat siriane ndodhen më pak se 10 kilometra larg një baze të rrethuar ajrore të qeverisë, një pozicion ky strategjik. Sipas televizionit shtetëror forcat e Damaskut ndodhen 3 kilometra larg në përpjekjen për t’i dhënë fund rrethimit të Deir el-Zourit.

Pas kryengritjes së vitin 2011 në Siri, grupet kryengritëse dhe xhihadistët pushtuan Deir el-Zourin dhe krahinën me të njëjtin emër dhe në vitin 2014 luftëtarët e Shtetit Islamik morën kontrollin e rajonit.

Por forcat siriane ia dolën të ruajnë kontrollin në disa pjesë të qytetit. Së fundmi në bashkëpunim me avionë luftarakë rusë, kanë nisur sulme ajrore kundër bastioneve së Shtetit Islamik.

Vlerësimet mbi numrin e popullsisë që jeton në këtë qytet ndryshojnë shumë. Sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut popullsia është tkurrur në rreth 150 mijë banorë, gjysma e asaj që ishte përpara shpërthimit të luftës civile siriane.

Qyteti i Deir el-Zourit konsiderohet me shumë rëndësi për presidentin sirian Bashar al-Asad, si qendra e industrisë së naftës në vend. Ndërsa forcat siriane kanë përparuar në lindje në muajt e fundit, qeveria ka rifituar kontrollin e fushave të naftës dhe gazit./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat