Referendumi kurd dhe mosmarrëveshjet që çajnë rajonin

Azia

Referendumi kurd dhe mosmarrëveshjet që çajnë rajonin

Më: 23 shtator 2017 Në ora: 13:48
Kurdistan

Më 25 shtator, kurdët e Irakut do të bëjnë diçka krejtësisht të parashikueshme. Do të votojnë me “po” në një referendum që qeveria rajonale e Kurdistanit do ta mbajë për pavarësinë që e kërkon me shekuj.

Pyetja në fletëvotim do të jetë e thjeshtë: A dëshironi që rajoni i Kurdistanit dhe zonat e Kurdistanit jashtë administratës së rajonit të bëhen shtet i pavarur?

Çështjet që rrethojnë votimin janë komplekse dhe qëndrojnë në zemër të konflikteve politike dhe sektare që po çajnë Lindjen e Mesme.

Me përjashtim të Izraelit, ekziston një kundërshtim pothuajse unanim në Lindjen e Mesme ndaj referendumit kurd. Opozita më e fuqishme vjen padyshim nga Bagdadi, qeveria e shtetit nga i cili kurdët po bëjnë përpjekje të ndahen. Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, ka qenë i palëkundur në këtë drejtim. “U bëj thirrje udhëheqësve kurdë të anulojnë referendumin, pasi votimi do të na çojë në një tunel të errët”, ka thënë ai.

“Referendumi i Kurdistanit është jokushtetues dhe ndarja do të lejohet vetëm përmes marrëveshjes kombëtare”, ka thënë Abadi.

Ai natyrisht se dëshiron të ruajë integritetin territorial të Irakut.

“Një referendum kombëtar duhet të përfshijë votat e të gjithë irakianëve pa asnjë diskriminim. Kurdët nuk mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme”, ka thënë Abadi.

Megjithatë, presidenti i kurdëve rajonalë të Irakut, Masud Barzani, ka thënë se referendumi do të mbahet. Kurdëve u është premtuar referendumi në vitin 2014, por është arritur pajtim për shtyrjen e tij, për shkak të kërcënimit nga grupi militant Shteti Islamik. Kur Qeveria e Irakut ka shpallur fitore ndaj Shtetit Islamik në qytetin Mosul, më 10 korrik - fitore në të cilën kurdët kanë luajtur rol të madh - Barzani ka vendosur se koha ka ardhur.

Por, nga gjithë kjo, ka rrezik më të madh. Dilema më e thellë qëndron në formulimin e pyetjes së referendumit, përkatësisht pjesën ku thuhet “zonat e Kurdistanit jashtë administratës së rajonit”.

Organizatorët e referendumit të 25 shtatorit nuk kërkojnë pavarësi vetëm për tri provincat zyrtare që përbëjnë proto-shtetin e Kurdistanit të Irakut. Votimi do të mbahet edhe në provincat Nineva, Kirkuk dhe Dijala, të cilat kontrollohen nga forcat kurde, pasi ato i kanë rikthyer nga Shteti Islamik.

Kirkuku është veçanërisht kundërthënës. Është i pasur me naftë dhe rrjedhimisht një burim potencial i të ardhurave më të mëdha për këdo që e kontrollon. Tash për tash, është padyshim i kurdëve. Atje nuk ka asnjë ushtar të vetëm irakian. Nëse kurdët përpiqen ta “aneksojnë” atë përmes votës me “po”, konflikti me Bagdadin bëhet mundësi, edhe pse e largët.

Por, ky mund të jetë minimum i problemeve kurde. Turqia dhe Irani kanë kundërshtuar po ashtu referendumin, duke e cilësuar si “tejkalim të egër politik”. Edhe Ankaraja, edhe Teherani kanë popullsi të pakënaqur kurde në vendet e tyre. Dhe, nëse kurdët e Irakut arrijnë pavarësinë, kurdët në Turqi dhe Iran mund të marrin ide.

Së bashku me Bagdadin, edhe Ankaraja e Teherani kanë deklaruar se referendumi “nuk do të jetë i dobishëm për kurdët” dhe janë pajtuar të shqyrtojnë kundërmasa.

Kur bëhet fjala për kundërmasa, më shqetësuesi nga të gjithë është Irani – një shtet tani me disponim krejtësisht hakmarrës. Një shtet i ri, kryesisht sekular, megjithëse sunit, paraqet kërcënim potencial për synimin afatgjatë të Teheranit për një urë tokësore shiite nga Iraku deri në Liban.

Clement Therme, studiues për Iranin në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, thotë se “iranianët janë kundër një entiteti të pavarur kurd në kufirin e tyre”.

Për më tepër, shton ai, Irani mbështet milicitë shiite që luftojnë Shtetin Islamik, “në mënyrë që të jenë në një pozitë më të fuqishme për të formuar rendin politik në Irak, pas Shtetit Islamik”./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat