Ambasada e Indisë dënon sulmin e përgjakshëm në Afganistan

Azia

Ambasada e Indisë dënon sulmin e përgjakshëm në Afganistan

Më: 2 korrik 2018 Në ora: 09:43
Lideri i komunitetit sikh, Avtar Singh Khalsa, i cili ka vdekur si pasojë e sulmit më 1 korrik.

Ambasada e Indisë në Kabul ka dënuar sulmin e përgjakshëm me bombë vetëvrasëse që ka shënjestruar një grup hindus dhe sikh në provincën afgane, Nangarhar.

“Sulmi thekson nevojën për luftim të përbashkët kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe gjetjen e fajtorëve që mbështesin terroristët”, ka deklaruar kjo ambasadë përmes një postimi në Twitter, pas sulmit që ka lënë të vdekur të paktën 20 persona në 1 korrik.

Zyrtarët afganë kanë thënë se sulmi me bombë ka shënjestruar një grup hindus dhe sikh, derisa ata ishin në rrugë për të takuar presidentin afgan, Ashraf Ghani, i cili ka vizituar kryeqytetin e provincës, Jalalabad.

Zyrtarët e shëndetësisë së Nangarharit kanë thënë se 17 nga 20 të vdekurit, si pasojë e sulmit janë pjesë e minoritetit hindus dhe komunitetit sikh.

Zyrtarë të ambasadës kanë konfirmuar se në mesin e të vdekurve është edhe lideri i komunitetit sikh, Awtar Singh Khalsa, i cili kishte planifikuar të garonte në zgjedhjet parlamentare.

Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë grupi militant, Shteti Islamik.

Më shumë se 20 persona të plagosur janë duke u trajtuar në spital, derisa është raportuar se në mesin e tyre ka persona që janë në gjendje kritike.

Grupi hindus dhe ai sikh në Afganistan është përballur me diskriminim me dekada.

Ky komunitet ka pasur rreth 80,000 persona në vitet 1970, ndërsa tani numëron rreth 1,000 persona në kombin me shumicë myslimane.

Shumica prej tyre janë shpërngulur në Indi, territor të cilin e konsiderojnë si vendin e tyre shpirtëror.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat