Tërmeti në Indonezi, mungesa e pajisjeve detyron gërmimet me duar

Azia

Tërmeti në Indonezi, mungesa e pajisjeve detyron gërmimet me duar

Më: 6 gusht 2018 Në ora: 23:06
Tërmeti në Indonezi

Kërkuesit në ishullin indonezian të Lombokut po hasin vështirësi të mëdha në përpjekjet për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënoja, pas tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin gjatë së dielës, kjo edhe për shkak të mungesës së pajisjeve të posaçme për këtë qëllim.

Në disa rajone në veri të Lombokut, autoritetet thonë se më shumë se gjysma e shtëpive janë rrënuar ose shkatërruar keqazi, si pasojë e lëkundjeve që vranë të paktën 98 persona dhe plagosën mbi 269 të tjerë. Një përfaqësues i agjencisë për menaxhimin e fatkeqësive, Purwo Nugroho tha se pati shkatërrime masive gjithandej, ndërkohë që disa zona janë ende të paarritshme.

Ekipet e shpëtimit janë përpjekur të gërmojnë për trupa në rrënojat e një xhamie në fshatin Lading-Lading. Kubeja e gjelbër e ndërtesës është pllakosur mbi pllakat e betonit që janë rrafshuar në tokë. Rreth 40 persona besohet të kenë qenë brenda xhamisë, në momentin kur goditi tërmeti me magnitudë 6.9.

Mungesa e pajisjeve të rënda dhe atyre të ngritjes së pllakave të betonit kanë vështirësuar përpjekjet e shpëtimit, ndërsa disa kërkues janë detyruar të gërmojnë me duar në rrënoja. Pengesa të tjera janë hasur në rajonin malor të veriut dhe lindjes së Lombokut, ku janë shembur edhe urat dhe ku janë ndërprerë linjat e elektricitetit dhe ato të komunikimit. Mbeturina të shumta kanë bllokuar edhe rrugët kryesore të shkatërruara.

Tërmeti ishte i dyti brenda një jave që goditi Lombokun, pas një tjetër lëkundjeje të 29 korrikut, që shkaktoi 16 të vdekur dhe një pafundësi shtëpish të shkatërruara. Numri i viktimave nga lëkundja e fundit pritet të rritet në orët e ditët në vijim, ndërsa rreth 20 mijë banorë janë strehuar në vende provizore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat