Aeroplanët sirianë e rusë sulmojnë Idlibin

Azia

Aeroplanët sirianë e rusë sulmojnë Idlibin

Më: 4 shtator 2018 Në ora: 19:38
Pamje nga provinca Idlib në Siri.

Aeroplanët rusë dhe ata sirianë kanë nisur sulme masive në zonën e fundit të kontrolluar nga rebelët në Siri, disa ditë para se liderët e Rusisë, Iranit dhe Turqisë të diskutojnë për ofensivën e Qeverisë Siriane, e cila mund të rezultojë me katastrofë humanitare në këtë pjesë.

Aeroplanët kanë bombarduar zonën Jisr al-Shughour në pjesën perëndimore të provincës Idlib, duke vrarë 13 civilë dhe asnjë luftëtar, ka thënë një grup i angazhuar për vëzhgim të luftës.

Presidenti sirian, Bashar al-Assad ka thënë se mposhtja e rebelëve në provincën veriperëndimore mund të jetë pikë kthese, pavarësisht se pjesa më e madhe e shtetit vazhdon të jetë nën kontrollin e tij.

Prej përfshirjes së Rusisë në anën e Assadit në këtë konflikt më 2015, lideri sirian së bashku me aleatët e ngushtë, Iranin dhe milicinë shiite kanë larguar rebelët nga zonat e Alepos, Gutas Lindore dhe Deras.

Një ministër i Qeverisë Siriane ka thënë se rrethimi i Idlibit mund të ndodhë me shumë përmes forcës.

“Deri më tash, aksioni ushtarak ka më shumë mundësi të ndodhë sesa pajtimet”, ka thënë ministri Ali Haidar për agjencinë e lajmeve Sputnik.

Damasku përdor termin “pajtim” për negociata me rebelët e dorëzuar, të cilat kanë ndodhur disa herë në pjesë siriane.

“Idlibi është ndryshe nga rajonet tjera për shkak të numrit të madh të luftëtarëve”, ka thënë Haidar.

Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se gjysma e 3 milionë personave që jetojnë në këtë provincë janë detyruar të shpërngulen në këtë vend, pasi janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat