Zgjedhjet në Afganistan: Shqetësime për sigurinë dhe mashtrimet

Azia

Zgjedhjet në Afganistan: Shqetësime për sigurinë dhe mashtrimet

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 18:17
Kandahar

Afganët edhe një herë do të sfidojnë kërcënimet, pasigurinë dhe frikën dhe do të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 20 tetorit.

Shumica e tyre janë të etur për një jetë më të mirë, punë, edukim dhe për një fund të luftës me talibanët.

Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare qëkur talibanët u rrëzuan nga pushtet në vitin 2001.

Ato është dashur të mbahen kur mandati i pesëvjeçar i Asamblesë aktuale ka përfunduar në vitin 2015. Por, bllokada pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të vitit 2014 ka ndryshuar gjithçka, duke e çuar vendin në prag të luftës civile.

Është dashur ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara atëbotë për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë aktuale të unitetit kombëtar: me Ashraf Ghanin president dhe me rivalin e tij kryesor, Abdullah Abdullah, kryeshef ekzekutiv.

Të dyja palët kanë rënë dakord për një rishikim gjithëpërfshirës të sistemit zgjedhor.

Zgjedhjet e së shtunës do të jenë një test për reformat e ndërmarra dhe për aftësitë e Komisionit Zgjedhor, i cili është kritikuar për dështim në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta.

Zgjedhjet janë të parat që nga përfundimi i misionit luftarak të NATO-s në Afganistan në vitin 2014.

Përgjegjësia e sigurisë bie kryesisht mbi forcat afgane, ndërsa Misioni i Mbështetjes i NATO-s do të veprojë kur t’i kërkohet.

Por, sipas një studimi të BBC-së, të publikuar këtë vit, talibanët janë aktivë në mbi 70% të territorit të Afganistanit dhe sfidat e sigurisë, thonë vëzhguesit, nuk janë të lehta.

Talibanët u kanë kërkuar qytetarëve që t’i bojkotojnë zgjedhjet e së shtunës, duke i quajtur “të rreme”, dhe militantët e Shtetit Islamik në Afganistan e kanë ndjekur shembullin.

Prejse janë shpallur zgjedhjet, ka pasur disa sulme në qendrat e regjistrimit të votuesve. Më vdekjeprurësi, me gati 60 njerëz të vrarë, ka ndodhur në muajin prill në Kabul dhe përgjegjësinë për të e ka marrë Shteti Islamik.

Së paku dhjetë kandidatë janë vrarë në sulmet në gjithë vendin.

Në zgjedhjet e mëparshme, rreth 10% e qendrave të votimit janë mbyllur për shkak të shqetësimeve për sigurinë. Këtë herë, rreth një e treta e më shumë se 7,000 qendrave do të mbyllen.

Por, siguria nuk është çështja e vetme që kërcënon votimin. Zgjedhjet e kaluara janë dëmtuar nga korrupsioni dhe mashtrimet, me raste të mbushjes së kutive të votimit apo të votimit të shumëfishtë.

Në zgjedhje garojnë mbi 2,500 kandidatë, që do të thotë së paku 10 vetë për një ulëse në Parlament.

Rreth 8.8 milion njerëz janë regjistruar për të votuar. Megjithëse nuk ka pasur regjistrim të popullsisë për më shumë se 30 vjet, në Afganistan vlerësohet se jetojnë më shumë se 30 milionë banorë./rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat