Protestat në Gaza/ Bie numri i pjesëmarrësve, plagosen 130 palestinezë

Azia

Protestat në Gaza/ Bie numri i pjesëmarrësve, plagosen 130 palestinezë

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 06:33
Gaza

Zyrtarët palestinezë njoftuan se të paktën 130 persona u plagosën, pasi u qëlluan nga plumbat e ushtrisë izraelite gjatë protestave në kufirin mes Izraelit dhe Gazës.

Mijëra palestinezë u mblodhën për protestën e përjavshme përgjatë rrethimit kufitar të Izraelit me Rripin e Gazës, i cili kontrollohet nga grupi islamik Hamas, një ritual që përsëritet çdo të premte, që prej 30 marsit.

Ushtria izraelite tha në një deklaratë se disa palestinezë kishin hedhur mjete shpërthyese, granata, goma të djegura dhe gurë ndaj ushtarëve të saj në gardhin kufitar, ndonëse asnjë izraelit nuk mbeti i plagosur.

Ushtria izraelite ka vrarë rreth 200 palestinezë që kur filluan protestat kufitare në mars, thonë mjekët e Gazës, ndërsa nga krahu tjetër vetëm një ushtar izraelit është vrarë nga një snajper palestinez.

Në protestën e djeshme morën pjesë rreth 10 mijë palestinezë, shumë më pak se në grumbullimet paraardhëse, një shenjë kjo që interpretohet si zbutje e tensioneve mes palëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat