Afganistan, shpërthime në ditën e zgjedhjeve parlamentare

Azia

Afganistan, shpërthime në ditën e zgjedhjeve parlamentare

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 09:40
Afganistan

Shpërthime të shumta kanë tronditur qendrat e votimit përreth Kabulit, këtë të shtunë, teksa njerëzit kanë nisur të hedhin votat e tyre në zgjedhjet legjislative të shtyra prej një kohe të gjatë.

Votues të shumtë janë parë teksa largoheshin nga një shkollë në veri të kryeqytetit afgan, pas shpërthimit, ndërkohë që dëshmitarë të shumtë kanë raportuar për shpërthime edhe në qendra të tjera votimi.

Zgjedhjet në Afganistan po mbahen, pavarësisht kërcënimeve të shumta nga talebanët, e sigurisht edhe masave të rënda të sigurisë. Më shumë se 2.500 kandidatë, përfshi edhe shumë femra, kandidojnë për 250 vende në Parlament. Por, më shumë se 30 për qind e qendrave të votimit kanë mbetur të mbyllura, mes shqetësimeve për sigurinë. Deri më tani, 10 kandidatë janë vrarë gjatë fushatës.

Ndërkohë, votimi në provincën e Kandaharit është shtyrë me një javë, pas vrasjes së kryeshefit policor, gjeneralit Abdul Raziq, që u qëllua për vdekje nga një prej truprojave të tij tradhtar, gjatë së enjtes. Talebanët morën përsipër sulmin, që ndodhi gjatë një takimi sigurie të nivelit të lartë. Pjesëmarrës në të ishte edhe komandanti më i lartë amerikan, gjenerali Scott Miller, i cili shpëtoi paq nga sulmi.

Sot, rreth 9 milionë afganë kanë të drejtë të votojnë në qendrat e votimit të hapura që prej orës 4:30 të mëngjesit (7 me orën lokale), në zgjedhjet që pritet të zgjasin deri në orën 13:30 të drekës me orën tonë. Megjithatë, nga 7.000 qendra që ishin planifikuar të hapeshin, vetëm 5.000 do të jenë operacionale për shkak të frikës së sulmeve.

Talebanët kanë bërë thirrje të bojkotohen zgjedhjet e quajtura prej tyre si “të rreme”. Shembullin e tyre e kanë ndjekur edhe militantët e Shtetit Islamik në Afganistan. Rreth 54 mijë pjesëtarë të forcave të sigurisë janë dërguar për garantimin e zgjedhjeve paqësore. Rezultatet paraprake priten 20 ditë pas zgjedhjeve, ose më 10 nëntor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat