Afganistan: Nëna e shet vajzën 6-vjeçare për t’i ushqyer dy fëmijët tjerë

Azia

Afganistan: Nëna e shet vajzën 6-vjeçare për t’i ushqyer dy fëmijët tjerë

Më: 24 nëntor 2018 Në ora: 16:02
Ilustrim

Një thatësirë e jashtëzakonshme në Afganistan i ka detyruar disa familje që t’i shesin fëmijët e tyre për t’i ushqyer anëtarët tjerë të familjes. Kombet e Bashkuara thonë se thatësira më e gjatë ndonjëherë e ka bërë të detyrueshëm largimin e më shumë njerëzve nga shtëpitë e tyre sesa dhuna e përgjakshme që ka filluar para disa vitesh.

Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 275 mijë njerëz janë zhvendosur për shkak të thatësisë, 84 mijë prej të cilëve vetëm brenda qytetit Herat. Mungesa e shiut të bollshëm për katër vjet me radhë e ka shkatërruar bujqësinë e vendit, duke ndikuar edhe në zvogëlimin e prodhimit të opiumit. Kushtet ekstreme të motit kanë ngritur shqetësime për ndikimin e ndryshimeve klimatike në vendin më jostabil të botës, ku dekadat e luftës e kanë shkatërruar ekonominë dhe shoqërinë pothuajse tërësisht.

Në një kamp refugjatësh jashtë Heratit, një grua tregon se burrin e ka humbur në luftë, e ka braktisur shtëpinë shkaku i thatësirës së madhe, e tash është detyruar edhe ta shesë vajzën e saj 6-vjeçare që t’i ushqejë fëmijët tjerë të saj. “E lashë fshatin me tre fëmijët e mi për shkak të thatësirës së tmerrshme. Erdha këtu duke menduar se do të marr ndihmë, por nuk mora asgjë. Për ta shmangur vdekjen nga uria të fëmijëve, ia dhashë vajzën një burri për 3 mijë dollarë, por deri tash m’i ka dhënë vetëm 70. Nuk kisha para, as ushqim, e as shtyllë të familjes. Burri im është vrarë në luftë”, tha ajo.

Ajo thotë se vajza e saj nuk e di që është shitur nga nëna. “Si mund ta dijë? Ajo është fëmijë. Nuk kisha tjetër mundësi. Me lotë apo me buzëqeshje, ajo është dashur të shkojë. Kush do ta shiste një copë zemre të saj pa qenë të detyruar?”, shtoi ajo. Vajza e shitur tash jeton disa metra larg nënës, në një tendë më të pasur, me blerësin e saj. Ajo nuk është fëmija i vetëm që shitet dhe blihet në Afganistan, shkruan “CNN”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat