Iraku shënon përvjetorin e parë të fitores kundër IS-it

Azia

Iraku shënon përvjetorin e parë të fitores kundër IS-it

Më: 10 dhjetor 2018 Në ora: 11:13
Kryeministri irakian, Adel Abdel Mahdi.

Iraku është duke shënuar përvjetorin e parë të fitores së shpallur ndaj grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).

Në komentet e transmetuara nga televizioni shtetëror, kryeministri irakian, Adel Abdel Mahdi ka thënë më 10 dhjetor se Iraku ka shënuar “fitoren më të madhe kundër forcave djallëzore dhe terrorizmit” kur ka dëbuar IS-in nga territori i tij.

Ai po ashtu është zotuar për të çrrënjosur korrupsionin si dhe për të siguruar kthimin e qindra mijëra personave në shtëpi.

Data e 10 dhjetorit është shpallur festë kombëtare.

Pikat kufitare në Bagdad janë dekoruar me flamuj irakianë.

Luftëtarët e IS-it kanë zotëruar pjesë të mëdha të territorit irakian dhe atij sirian, sidomos pas ofensivës së vitit 2014, kur militantët e këtij grupi patën shpallur të ashtuquajturin “kalifat” islamik.

Mirëpo përgjatë tre vjetëve tjera, trupat e Qeverisë irakiane, të përkrahur edhe nga njësite paramilitare ianiane dhe forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kanë luftuar për të dëbuar pjesëtarët e IS-it nga këto zona, meqë ata janë konsideruar përgjegjës edhe për vrasjen e mijëra personave.

Aktualisht militantët e IS-it kanë humbur kontrollin e gjithë territorit të kontrolluar irakian, mirëpo ata vazhdojnë të kryejnë sulme sporadike në këtë zonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat