Reflektimi i Arben Fetahut!

Basketboll

Reflektimi i Arben Fetahut!

Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 16:44
Arben Fetahu

Në fund të dhjetorit është koha për të bërë bilancin e vitit 2018, por edhe për të shikuar përpara, pra në sfidat dhe emocionet që na presin në 2019.

Jemi në prag të përmbylljes së vitit 2018, por çfarë ishte ky vit për basketbollin e Kosovës? Çfarë na pret në 2019?

Arben Fetahu: Në këto pyetje do të përgjigjet kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, i cili me sukses i ka prirë Bordit të FBK-së dhe është përballur me të gjitha sfidat që ka hasur basketbolli i Kosovës gjatë këtij viti.

Viti 2018, anët e forta dhe të dobëta të basketbollit të Kosovës?

Arben Fetahu: Padyshim se e arritura më e madhe e vitit ka qenë organizimi i FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C në Prishtinë prej 22 deri më 29 korrik, triumfi në këtë garë, si dhe kualifikimi në një Divizion më të fortë siç është ai B, që e ka bërë këtë ngjarje edhe më madhështore.

Janë organizuar kampe të të rinjve në koordinim me FIBA-n, pastaj seminare për trajnerë, gjyqtarë, vëzhgues, po ashtu në bashkëpunim me FIBA-n, ndërsa ka pasur vizita të ndërsjella, si të zyrtarëve të lartë të FIBA-s në Kosovë, ashtu edhe të atyre të FBK-së në FIBA, dhe të gjitha këto për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin në mënyrë që të arrijmë deri te zhvillimi i kuadrove të basketbollit kosovar në të gjitha lëmitë.

Në aspektin organizativ, zyra ekzekutive e FBK-së është rritur edhe më shumë për nga numri, ku kemi hapur vende të reja të punës, si dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku e ka përfunduar  shkollimin në programin e FIBA-s, “TIME-OUT”, duke diplomuar me sukses në këtë program shumë të vlerësuar nga FIBA dhe Federatat Nacionale.  Po ashtu gjatë vitit 2018 anëtarë të stafit të zyres ekzekutive kanë pasur mundësinë të trajnohen nëpër fusha të ndryshme në Punëtoritë dhe Seminaret e organizuara nga FIBA, dhe kjo do të thotë se FBK është e përkushtuar në ngritjen profesionale të kapaciteteve njerëzore.

Sivjet për herë të parë që nga pranimi në FIBA, 3 gjyqtarët nga Kosova me thirrje të FIBA-s e kanë ndarë drejtësinë në FIBA Kampionatet Evropiane të gjeneratave të reja që janë zhvilluar gjatë verës, si dhe në garat zyrtare të FIBA-s. Sa i përket trajnerëve, ndonëse kemi tentuar me disa programe të edukimit, nuk mund të themi se jemi të kënaqur, sepse kemi pritur më shumë, por kemi marr më pak nga trajnerët, andaj këtu vlerësoj se duhet të fokusohemi më shumë në vitin 2019 në mënyrë që të gjejmë një tjetër metodë për të inkurajuar trajnerët që të jenë më afër edukimit profesional, që është për të mirën e tyre, por njëkohësisht edhe për të mirën e fëmijëve, dhe basketbollit kosovar në përgjithësi.

Ne kemi vazhduar edhe këtë vit të shkollojmë trajnerët në programin e FIBA-s, ku tre prej tyre e kanë kryer me sukses programin FECC, ndërsa dy të tjerët pritet ta kryejnë në vitin e ardhshëm.

Në nivel të klubeve në 2018, Z Mobile Prishtina për vitin e dytë radhazi ka garuar në parakualifikimet e Basketball Champions League, ku është eliminuar, por që më pas ka arritur sukses duke e kaluar një raund në FIBA Europe Cup, ku edhe në këtë raund ka vazhduar me paraqitje të mira.

Dobësi vazhdon të ketë, sepse jemi të kufizuar sa i përket infrastrukturës sportive, urgjentisht kemi nevojë për një palestër të sporteve me dorë në kryeqytet, sepse tani që jemi ndërkombëtarizuar secila federatë e këtyre sporteve merr pjesë me Përfaqësuese në pothuajse të gjitha kategoritë në garat zyrtare ndërkombëtare, si dhe brenda vitit duhet të organizohen kampe dhe aktivitete të tjera për djem dhe vajza të reja.

Vazhdojmë të kërkojmë përkrahje edhe më të madhe financiare nga shteti, në nivel qendror edhe lokal, pra jo vetëm për ne si Federatë, por edhe për klubet në komunat në të cilat funksionojnë.

Edhe në 2018, ashtu si në vitin paraprak nuk mund të jemi të kënaqur me cilësinë në Superligën e Kosovës, e cila po vazhdon të mos i përmbush pritshmëritë e adhuruesve të basketbollit kosovar. Mbetet edhe shumë për tu bërë, por ne jemi duke punuar me të gjitha forcat për të përmirësuar situatën aktuale.

Vazhdojmë të mbesim në të njëjtën gjendje për disa arsye e ndër të parat është fillimi i implementimti të ligjit për sponsorizim, lodhja e sponsorëve për të ndihmuar klubet, dhe pa pasur lehtësime nga shteti, pastaj puna jo në nivelin e kërkuar dhe dëshiruar nga FBK me gjenerata të reja nga klubet, si dhe kriza ekonomike-financiare që e ka kapluar çdo aspekt të jetës në Kosovë, e veçanërisht në sport në disa vitet e fundit.

Për dallim nga skuadrat, Federata e Basketbollit e Kosovës i ka rezistuar krizës financiare në sport, edhe pse nga Ministria e Sportit arrin të marr vetëm 30% të buxhetit të saj, derisa në dy vitet e fundit e kemi shtuar atë për 20%.

Gjatë vitit 2018 krahas anëve të forta dhe të dobëta, e kemi përjetuar një ngjarje shumë të rëndë për komunitetin jo vetëm të basketbollit kosovar, por edhe sportit në përgjithësi. Data 23 qershor do të mbetet një datë që nuk do të harrohet kurrë nga Federata e Basketbollit të Kosovës. Kjo pasi në një aksident rrugor që ka ndodhur në Gjakovë, ka humbur jetën reprezentuesi i Kosovës, Gazmend Sinani. Në po të njëjtin aksident lëndime trupore kanë pësuar edhe Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina dhe fizioterapeuti i reprezentacionit Kujtim Shala. Me humbjen e Gazit, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak. Gazi do të mbetet gjithnjë në zemrat tona.

Cilat janë prioritet e FBK-së?

Arben Fetahu: Prioritetet janë të ngjashme, por çdo vit është duke ndryshuar mënyra e realizimit të qëllimeve.

Që nga pranimi në FIBA ne jemi duke marr pjesë me ekipe kombëtare të gjeneratave të ndryshme dhe në të dyja konkurrencat, por përderisa vitin e kaluar ne shënuam sukses historik me Përfaqësuesen A duke u kualifikuar në kualifikimet për Kupën e Botës “Kina 2019” në mesin e 32 kombëtareve evropiane, sivjet shënuam sukses me një Përfaqësuese të gjeneratave të reja, atë U18, e cila u shpall kampione e FIBA Kampionatit Evropian, Divizioni C dhe kështu u kualifikua në Divizionin B, nivel ky në të cilin do të bëjë gara që nga viti 2019.

Cilat janë sukseset më të mëdha të basketbollit të Kosovës në vitin 2018?

Arben Fetahu: Sukses është në tërësi ajo që kemi bërë me ekipe kombëtare dhe fakti që kemi arritur të kualifikohemi në Divizion B me Përfaqësuesen U18, kemi arritur të organizojmë një Kampionat Evropian nën patronatin e FIBA-s, pastaj kemi arritur të fitojmë dy projekte të gjeneratave të reja, në të dyja konkurrencat (djem dhe vajza).

Tjetër sukses është se Federata e Basketbollit e Kosovës e ka fituar të drejtën për të organizuar një tjetër Kampionatin Evropian, por që kësaj radhe bëhet fjalë për një nivel më lartë, pra FIBA U20 Kampionatin Evropian U20, Divizioni B në konkurrencën e meshkujve që do të mbahet në Prishtinë prej 3 deri më 11 gusht 2019.

Sfidat që e presin FBK-në në vitin 2019?

Tashmë kemi arrItur në stadin kur FBK po përqendrohet më shumë në programe zhvillimore dhe në punë të ekipeve kombëtare dhe po pret që klubet të mund të mbijetojnë dhe funksionojnë me sa më pak ndihmë direkte nga ana jonë. Për t’u realizuar në tërësi kjo kërkon pak kohë, por ne do të vazhdojmë ta shtyjmë përpara këtë proces.

Kjo do të jetë sfida jonë për të ardhmen, mirëpo, në 2019 pa dyshim se sfida kryesore është të tentojmë që me Përfaqësuesen A të zëmë një vend në kualifikimet për Eurobasket 2021.

Për fund një urim për të gjithë njerëzit që e duan basketbollin?

Arben Fetahu: Fillimisht dua ti përshëndes gjithë ata adhurues të basketbollit që me përkrahjen e tyre në ndeshje dhe me bisedat e kritikat e sinqerta sportive, po na ndihmojnë që çdo ditë të rrisim nivelin tonë.

Po ashtu falënderoj të gjithë sponsorët tanë që na kanë përkrahur gjatë vitit 2018 dhe besoj se në 2019-tën me fillimin e implementimit të Ligjit për Sponsorizim numri i sponsorëve të FBK-së dhe klubeve të saj do të rritet edhe më shumë.

Të gjithëve ju uroj çdo të mirë në vitin 2019 dhe shpresoj që sukseseve të reja do ti gëzohemi së bashku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat