Projekti FIBA në Kosovë

Basketboll

Projekti FIBA në Kosovë

Më: 28 dhjetor 2018 Në ora: 16:53
Projekti FIBA në Kosovë

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) do ta përmbyll vitin 2018 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke e organizuar Turneun e Fundvitit, në të cilin do të marrin pjesë klube nga pothuajse të gjitha qytetet e Kosovës me vajzat e moshës 12 deri 15 vjeç.

Turneu i Fundvitit do të organizohet më 29 dhjetor (të shtunën) në palestrën e sportit të Kolegjit “ISP” në lagjen “Marigona Residence” në Prishtinë duke filluar nga ora 10:00 deri në 16:00.

Me këtë Turne të Fundvitit do të lansohet projekti “FIBA Europe Girl's Basketball Program” që financohet nga FIBA Evropa dhe mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, si dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Kampanja e këtij projekti është "Her World, Her Rules" (Bota e Saj, Rregullat e Saj), ku me këtë rast do të inkurajohen vajzat e reja që të merren me basketboll.

FIBA Evropa është duke punuar në partneritet me Federatat Nacionale nëpër gjithë Evropën për të implementuar këtë kampanjë.

Në kuadër të Turneut të Fundvitit, Federata e Basketbollit të Kosovës ka paraparë edhe shumë dhurata dhe shpërblime për vajzat pjesëmarrëse.

Nëpërmjet këtij projekti FBK synon të zhvilloj basketbollin ndër vajza në vendet rurale të Kosovës, apo edhe në qytetet ku nuk ka aktualisht ekipe të femrave të basketbollit.

Target i FBK-së në këtë projekt do të jenë vajzat e shkollave fillore, prindërit, arsimtarët e Edukatës Fizike, si dhe trajnerët e basketbollit.

Në kuadër të këtij projekti do të organizohen, kampe, turne, punëtori, klinika, në mënyrë që të arrihet edhe qëllimi i projektit, e që është masovizimi i basketbollit ndër vajza, por edhe krijimi i ekipeve të femrave në qytetet/fshatrat ku nuk ka basketboll të femrave, si dhe krejt në fund të arrihet që pas disa viteve edhe në konkurrencën e femrave të kemi liga prej kategorisë U12 e deri tek senioret.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat