Rënia e sporteve me dorë, por kush ka faj?

Basketboll

Rënia e sporteve me dorë, por kush ka faj?

Nga: Kemajl Goca Më: 4 janar 2019 Në ora: 19:15
Ilustrim

Debate

Për lëvdata jemi të parët! Bile dalim kampionë jo vetëm të rajonit! Si në basketboll, si në hendboll, si në volejboll, kë ta pyetesh secili është me krenarë për sportin e tyre! Bile nëse futesh në tërësi të vëmendjes së tyre, ta mbushin mendjen se i mposhtin edhe kampionët e botës! Rënia e sporteve me dorë e ka një adresë në secilin sport, qoftë në basketboll, qoftë në hendboll qoftë në volejboll! Kush ka faj?

Nëse adresohesh me emra, askush nuk e pranon dhe secili mendon se është më i mirë se tjetri dhe faji mbetet jetim. Sportet me dorë kanë rënë përtokë, më së miri e dëshmon edhe numri i vogël i shikuesve nëpër palestra. Nuk ka nevojë as klubet as federatat të binden, sepse ndëshkimin me të madh e marrin nga shikueshmëria! Kur ke shikueshmëri, ki diçka në lojën e sporteve me dorë.

Në vitet e fundit të merr malli për të parë palestrat e stërmbushura me shikues, me përjashtim të ndonjë ndeshje të basketbollit! Politikat e klubeve kanë qenë të gabuara tash e pothuajse 19 vite pas luftës. Nuk kanë vepruar as emëruar njerëz përkatës, që dinë të mendojnë për të ardhmen! Nuk ndërtohet e ardhmja duke blerë lojtarë të nivelit pak më të lartë se sa që i kemi ne, por e ardhmja ndërtohet me zbulimin dhe formimin e lojtarëve! Basketbolli, hendbolli e volejbollit, mjerisht pak kanë punuar në këtë drejtim. Mjerisht nëse futemi në detaje, cilin basketbollist, hendbollist ose volejbollist, mund ta shesim në ndonjë skuadër të madhe evropiane?

Asnjërin!  Atëherë, çfarë bëmë për 19 vite? Asgjë! E shkatërruam vetveten! Sportet me dorë dikur kanë qenë sporte për lakmi! E marrim shembullin Universitetin e Prishtinës në konkurrencën e femrave në basketboll, në vitet e 80-ta, ka qenë në nivelin me të lartë federativ të ish Jugosllavisë. Atëbotë kishin emra të mëdhenj të basketbollit, si Resmije Juniku, Serbeze Perani, Shemsije Stublla, Xhevahire Mustafa, Xhemile Berisha etj. që shkëlqenin! Këto ishin shqiptare! Basketbolliste që ende përmenden dhe që u rriten nga buka shqiptare, ndërsa sot nuk kemi asnjë basketbolliste të këtij rangu. Po hendbolli? Këta të nderuarit e të respektuarit në vitet e 80-tat e kishin KH Borcin e Ferizajt dhe Trepçën nga Mitrovica të fortë, e bënin telashe ligën më të fortë, por sot ku janë?

Trepça mezi po mbijeton, kurse Kastrioti ish Borci, tani është i fortë për ligën tonë, por jo edhe për ato të rajonit! Në volejboll, cilësia nuk është në nivel dhe kriza është e madhe, ngjashëm sikurse në hendbolli janë me pak shikues! Krejt në fund, shikuesi i Kosovës e njeh sportin dhe shkon atëherë kur ka cilësi dhe jo kur ka antivlera!  Shpresojmë se në vitin 2019 do të punohet më shumë si në klubet e basketbollit, hendbollit e volejbollit, e sidomos të investohet në rritjen e nivelit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat