FBK dhe KB Rahoveci zotohen se nuk do të mungoj spektakli në final 8 të Kupës

Basketboll

FBK dhe KB Rahoveci zotohen se nuk do të mungoj spektakli në final 8 të Kupës

Më: 16 janar 2019 Në ora: 14:35
FBK dhe KB Rahoveci zotohen se nuk do të mungoj spektakli në final 8 të Kupës

FBK dhe KB Rahoveci zotohen se nuk do të mungoj spektakli në Final 8 të Kupës së Kosovës me rastin e përurimit të palestrës në Rahovec

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) së bashku me KB Rahoveci sot kanë organizuar konferencë të përbashkët për media në zyrat e FBK-së, me ç’rast i kanë  shpalosur detajet e Final 8 të Kupës së Kosovës.

KB Rahoveci është organizator i kësaj ngjarje madhështore, pasi që ditë më parë i ka plotësuar të gjitha kushtet e parashtruara në konkursin e shpallur nga FBK-ja dhe kështu Bordi i FBK-së ia ka besuar organizimin e këtij eventi.

Të pranishëm në konferencë ishin Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, Bekim Hoxha, kryetar i KB Rahoveci dhe anëtari i Bordit të KB Rahoveci, Alban Rama, me ç’rast edhe e kanë nënshkruar kontratën në të cilën përshkruhen në detaje obligimet e organizatorit të Final 8.

Final 8 i Kupës së Kosovës do të organizohet prej 27 shkurt deri më 3 mars 2019.

Duhet theksuar se me këtë rast KB Rahoveci do të bëjë përurimin e palestrës së re “Mizair Isma”, në të cilën kanë filluar punimet para dhjetë viteve, dhe që janë në përfundim e sipër.

Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, tha: “Të premten e kaluar Bordi i FBK-së ka votuar për kandidaturën e KB Rahoveci për të qenë organizator i Final 8 të Kupës së Kosovës. KB Rahoveci i ka plotësuar të gjitha kushtet që dalin nga Konkursi dhe nga Udhëzuesi për organizim të Final 8 të Kupës së Kosovës.

Për këtë arsye jemi këtu për ta nënshkruar kontratën në mes FBK-së dhe KB Rahoveci, duke u zotuar kështu për detyrimet që duhet ti përmbushim të dyja palët për organizimin e këtij eventi shumë të rëndësishëm për Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Ne bëjmë apel tek Komuna e Rahovecit dhe tek Ministria për Kulturë, Rini e Sport që pjesa e mbetur e pakryer në palestrën në Rahovec të përfundoj sa më shpejtë që është e mundur, sepse në fund të muajit janar, Federata e Basketbollit të Kosovës do ta bëjë inspektimin përfundimtar të palestrës në mënyrë që ta bëjë një analizë të gjendjes së përgjithshme para punës intensive të Final 8 të Kupës së Kosovës.

Ne po besojmë që KB Rahoveci do ti kryej të gjitha zotimet e marra dhe kështu do të jemi të gatshëm për një spektakël të basketbollit në qytetin e Rahovecit, sepse me të vërtetë si klub e meritojnë dhe e kanë merituar që kjo palestër të kryhet shumë herët, duke marr parasysh organizimin dhe përkushtimin e tyre.

Muaji shkurt tash e sa vjet është muaji i shumë aktiviteteve të FBK-së, duke filluar nga ndeshja Kosova – Rumania në kuadër të parakalifikimeve për Eurobasket 2021, pastaj në kuadër të Final 8 të Kupës së Kosovës do të organizohet FIBA SCOD Camp për gjyqtarët e rinj, FIBA Camp për Gjyqtarët Potencial për Thirrje të FIBA-s, ku këtu do të kemi 3 gjyqtarë nga Kosova, 1 nga Kroacia, 2 nga Franca, 1 nga Mali i Zi, 1 nga Turqia dhe 1 nga Sllovenia. Krahas këtyre aktiviteve FBK tanimë e ka bërë traditë që në kuadër të Final 8 të Kupës së Kosovës të organizoj edhe Kuvendin e Punës, i cili do të mbahet më 3 mars në Rahovec. Të gjitha këto aktivitete do të jenë nën mbikëqyrje të FIBA Evropës. Kjo e fundit do të ketë përfaqësuesit e saj të pranishëm në kuadër të Final 8, në krye me drejtorin e Departamentit të Gjyqtarëve në FIBA Evropë, Davorin Nakic".

Bekim Hoxha, Kryetar i KB Rahoveci, tha:

“Ne jemi shumë të lumtur që Federata e Basketbollit të Kosovës n aka besuar organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës dhe tashmë na mbetet që së bashku me Komunën  e Rahovecit dhe me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport t’i shkojmë deri në fund përfundimit të punimeve në palëstër, e që varet edhe nga operatori ekonomik, i cili e ka marr përsipër kryerjen e punëve në këtë palestër, e cila ka filluar të ndërtohet tash e sa vjet.

Unë po besoj shumë se në këtë fazë përfundimtare të punimeve në palestër do të vazhdojmë ta kemi përkrahjen e kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili na e ka dhënë përkrahjen e pashoq deri më tani, ndërsa presim tani që edhe MKRS të kryej pjesën e saj në mënyrë që të përfundojnë punimet dhe të pranohet palestra nga FBK dhe MKRS për zhvillimin së pari të këtij aktiviteti dhe më pas edhe të aktiviteteve të tjera.

Ne si klub jemi zotuar para FBK-së se do ti kryejmë të gjitha obligimet që dalin nga Udhëzuesi për Organizim të Final 8 të Kupës së Kosovës, si dhe nga kontrata, dhe kështu do të organizojmë një spektakël që do të mbahet mend gjatë në basketbollin kosovar.

Andaj edhe një herë shfrytëzoj rastin të bëj apel tek institucionet tona lokale dhe qendrore që të na përkrahin në këtë fazë përfundimtare të punimeve në palestër në mënyrë që të kryhet puna dhe ne të fillojmë me përgatitjet intensive për organizimin e këtij eventi madhështor”.

Fituese të Kupës së Kosovës për edicionin e kaluar janë Z Mobile Prishtina te meshkujt dhe Prishtina te femrat.

Orari

27.02.2019 (e mërkurë)

14:00 Bashkimi – Prishtina (gjysmëfinalja në konkurrencën e femrave)

16:30 Z Mobile Prishtina – Trepça

19:00 Rahoveci – Don Bosko

28.02.2019 (e enjte)

14:00 Vëllaznimi – Istogu (gjysmëfinalja e Kupës së Ligës së Parë)

16:30 Golden Eagle Ylli – Feronikeli

19:00 Ponte Prizreni – Bashkimi

01.03.2019 (e premte)

14:00 Feronikeli – Penza (gjysmëfinalja e Kupës së Ligës së Parë)

16:30 Gjysmëfinalja e Parë e Kupës së Kosovës

19:00 Gjysmëfinalja e Dytë e Kupës së Kosovës

03.03.2019 (e diel)

12:00 Finalja e Kupës së Ligës së Parë

14:30 Finalja e Kupës së Kosovës – Femrat

17:00 Finalja e Kupës së Kosovës – Meshkujt

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat