Veseli mendon për kreun e tabelës!

Basketboll

Veseli mendon për kreun e tabelës!

Nga: Kemajl Goca Më: 16 janar 2019 Në ora: 18:13
Veseli mendon për kreun e tabelës!

Në fundjavë fillon pjesa e dytë e kampionatit në basketboll (meshkujt) dhe secila ekip pretendon rezultate sa më të mira. Golden Eagle Ylli nga Theranda është nënkampione vjeshtore me 23 pikë, ka pesë me pak se Z Mobile Prishtina. Therandasit kanë synime të mëdha, që të janë në finale e Kupës dhe të play-off-it në kampionat. Përforcimi i ri Alban Veseli shton edhe më shumë gjasat e Yllit për suksese në kampionat dhe për Kupë. Atmosfera në ekip është jashtëzakonisht e mirë, të gjithë basketbollistët janë të motivuar për sfidat e pranverës.

Ndërkaq, Veseli shprehet se punojnë me përkushtim. “Atmosfera është shumë e mirë, ndërsa sa i përket synimeve nuk di se çfarë të ju them, ka ende kohë deri në fund të kampionatit.  Ekipi që kemi krijuar na jep shumë për të menduar që do të jemi në maje të tabelës, në finale të Kupës dhe në finale të Play-off-it. Duhet shikuar mundësinë, pra me ndryshime të Prishtinës, besoj shumë se mund të sjellim ndonjë titull në Therandë”, tha Veseli për gazetën kombëtare “Bota sot”. Cilat janë skuadrat më të papërshtatshme për Yllin?

“Thënë të drejtën, skuadrat më të papërshtatshme, përveç Prishtinës, mendoj se edhe Trepça është pak më e vështirë, edhe Bashkimi ka një skuadër shumë të mirë që e ka krijuar. Pas Prishtinës i kemi edhe këto si rivalë”, përgjigjet Veseli. Basketbollisti ndihet shumë mirë në mjedisin e ri dhe gëzon një respekt të madh nga të gjithë. “Falënderoj shumë ekipin dhe gjithë Therandën që me kanë pritur, jam ambientuar shumë mirë”, theksoi ai. Deri në ndeshjet e Kupës ka ende kohë dhe është një mundësi shumë e mirë për therandasit që të komponohen sa më mirë: “E mira e kësaj është se kemi shumë kohë për t’u përgatitur dhe komponuar për Kupë. Ndeshjet e Kupës janë më shumë fat ose një lojë që përcakton edhe gjithçka, prandaj mundesh mos me qenë në elementin më të mirë dhe bie prej asaj gare”, tha Veseli.  Temperaturat e ulëta që kanë mbretëruar gjatë ditëve të fundit ishin një shqetësim i madh për shumë skuadra, por therandasit ia kanë dalur që palestrën ta ngrohin.

“Temperaturat janë të ftohta, por ekipi është përkujdesur me ngrohur palestrën dhe kanë arritur mi bërë temperaturat e përshtatshme për stërvitje”, përfundoi Veseli. Ylli është i gatshëm për sfidën e parë të pranverës përkatësisht kundër rivalit fqinj, Bashkimit nga Prizreni. Ky është edhe derbi i javës së 15-të që luhet në Prizren, ku therandasit pretendojnë të dalin ballëlart/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat