Warriors deklasojnë Lakers

Basketboll

Warriors deklasojnë Lakers

Më: 22 janar 2019 Në ora: 12:27
Pamje nga ndeshja

Fitore e thellë për kampionët në fuqi të NBA.

Golden State Warriors hakmerren ndaj Los Angeles Lakers për humbjen e pësuar mbrëmjen e Krishtlindjes në “Oracle Arena”.

Këtë herë dy skuadrat u përballën në Staples Center, aty ku kampionët në fuqi të NBA u shfaqën prepotentë, duke fituar thellë 130-111. Pa LeBron James, që vazhdon të jetë i lënduar, kalifornianët e patën të vështirë të përballonin furinë e Warriors, sidomos në çerekun e tretë, të cilin Warriors e fituan 45-25.

I pandalshëm Klay Thompson, që realizoi 44 pikë, ndërsa Stephen Curry u ndal në 11 pikë por shtoi 12 asistime. Thompson theu dhe një rekord në NBA, duke realizuar 10 treshe radhazi pa gabuar në asnjë. Për Lakers u munduan të bënin diçka Ivica Zubac me 18 pikë e Brandon Ingram që shtoi 17 pikë të tjera.

37 pikë realizoi James Harden në përballjen e Houston Rockets ndaj Philadephia 76-ers, por, çuditërisht, paraqitja e tij nuk mjaftoi për të fituar. Falë 32 pikëve dhe 14 kërcime të Joel Embiid, 76ers triumfuan 121-93.

Boston Celtics mposhtën Miami Heat 107-99, në një ndeshje që u vendos në çerekun e tretë, teksa Celtics realizuan më shumë se dyfishin e pikëve të kundërshtarit, 37-18.

Vazhdon të shkëlqejë për Bostonin, Kyrie Irving, i cili e mbylli takimin me 26 pikë e 10 asistime.

Në “Madison Square Garden” Oklahoma City Thunder triumfuan ndaj New York Knicks me rezultatin e thellë 109-127, të inspiruar nga trioja Paul George-Russell Westbrook-Dennis Schroder, me 65 pikë në total (31 George dhe nga 17 Westbrook dhe Schroder).

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat