Warriors nuk ndalen, triumfojnë edhe ndaj Wizards

Basketboll

Warriors nuk ndalen, triumfojnë edhe ndaj Wizards

Më: 25 janar 2019 Në ora: 11:51
Stephen Curry

Golden State Warriors koleksionuan fitoren e nëntë radhazi në fushën e Washington Wizards me rezultatin 128-118, duke blinduar vendin e parë në Konferencën e Perëndimit.

Pavarësisht startit të mirë të lojës, Wizards nuk arritën të ruanin ritmin e Warriors, që, si zakonisht, u udhëhoqën nga Stephen Curry, që e mbylli takimin si koshashënuesi më i mirë me plot 38 pikë. Paraqitje mbresëlënëse e Trevor Arizas dhe Bradley Beal, që shënuan nga 27 përkatësisht 22 pikë, por që nuk mjaftuan për të ndalur kampionët në fuqi të NBA.

Oklahoma City Thunder nuk gabon para publikut të vet, duke mundur 122-116 New Orleans Pelicans.

Në këtë takim Russell Westbrook realizoi triple-double, prej 23 pikëve, 17 kërcimeve dhe plot 16 asistimeve, ndërsa Paul George shtoi edhe 23 pikë të tjera.

Fitore të rëndësishme arrin Portland Trail Blazers në parketin e Phoenix Suns 116 – 120.

Për skuadrën nga Arizona kjo ishte humbja e gjashtë  radhazi dhe e 19-ta në shtëpi. Për Portlandin u dallua Damian Lillard  me 24 pikë dhe CJ McCollum që shtoi 20 pikë të tjera

Los Angeles Lakers, që vazhdojnë të vuajnë mungesën e LeBron James, u mposhtën brenda në Staples Center 105-120 nga Minnesota Timberwolves.

Për skuadrën mysafire shkëlqyen Karl Anthony Towns dhe Andrew Wiggins me 27 dhe 23 pikë, ndërsa 20 pikët e Brandon Ingram ishin shumë pak për të ndryshuar fatin e takimit për Lakers.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat