Edona Berranija: Vlera e sportistit shihet me një sy tjetër në Francë

Basketboll

Edona Berranija: Vlera e sportistit shihet me një sy tjetër në Francë

Nga: Kemajl Goca Më: 25 janar 2019 Në ora: 14:52
Edona Berranija

Basketbollistja e kombëtares së Shqipërisë, Edona Berranija, me sukses luan për ekipin francez CEP nga Lorienti, e cila garon në Ligën e 3-të Kombëtare! Edona është ndër lojtaret më të mira të kësaj ekipe e cila pretendon katër vendet e para. Ajo është e gjatë 180 centimetra dhe luan në pozitën 3-4. Synimet e saja janë si në aspektin personal po ashtu edhe me ekip të arrijë sa më lartë. Kushtet janë motiv shtesë edhe për Edonën që të jap maksimumin në secilën sfidë. Biondja është ambientuar mirë me ekipen franceze dhe ndihet e lumtur që është në këtë kolektiv, për faktin se po i shpaguhet edhe mundi. Ajo flet për synimet, cilat ekipe janë rivalet e tyre dhe si e sheh basketbollin ku luan me atë të Shqipërisë.

“Bota sot”: Tani e një kohë në ekipin CEP, si po ndjehesh në këtë ambient?

Edona Berranija: Me ekipin e CEP kam tre muaj që jam aktivizuar. Kam gjetur një ambient të ngrohtë, një profesor të ri në moshë por me shumë eksperiencë dhe me vajza të reja, me mjaft perspektivë. Deri me tani çdo gjë po shkon shumë mirë, jemi në fazë kampionati dhe ndeshjet po ecin mirë.

“Bota sot”: Cilat janë ambiciet e CEP-it?

Edona Berranija: Synimi jonë është të zëmë vend në 4-shen e ekipeve më të mira, si dhe pretendimet për kampion. Kemi fatin që në ekip kemi një ish lojtare të kombëtares franceze, tani ajo është në fund të karrierës së saj sportive, por është shumë e vlefshme në ekip për eksperiencën dhe vlerat që ka si lojtare, normalisht flet dhe vetë fakti që ka bërë pjesë në kombëtaren e Francës.

“Bota sot”: Si e sheh basketbollin në Ligën e 3-të kombëtare të Francës, a dallon shumë me atë shqiptar?

Edona Berranija: Edhe pse në ligë të 3-të, niveli i vajzave është mjaft i mirë, sporti në Francë por besoj edhe ne vende të tjera të botës shihet me një sy tjetër nga si e shef Shqipëria. Drejtuesit janë më të preokupuar dhe japin çdo gjë që niveli i basketbollit dhe sporteve të tjera të jetë sa më i mirë. Vetëm tani po e kuptoj si duhet rëndësinë e të qenit sportiste, kam vetëm 4 muaj këtu dhe ndihmesa nga ana e drejtuesve ka qenë shumë e madhe.

“Bota sot”: Cila ekip është rivale e madhe e CEP-it?

Edona Berranija: Në fakt rivalet janë dy, ALPC Moulin Nantes dhe Rennes Avenir.

“Bota sot”: A paguhet më mirë basketbolli në Francë se sa në rajonet e Ballkanit?

Edona Berranija: Po, pagesat janë shumë më të mira, pasi siç ju thashë sporti në përgjithësi ka vëmendje tjetër, standardi i jetesës është shumë më i lartë dhe vlera e sportistit shihet me një sy tjetër.

“Bota sot”: Sa është vështirë të luash në këtë rang garash?

Edona Berranija: Është shumë e vështirë, pasi duhet shumë punë dhe mund për të arritur në nivelin e këtyre vajzave. Mënyra e lojës, e të stërviturit, teknikat dhe taktikat janë shumë më ndryshe, kanë një intensitet loje tjetër gjithsesi kam arritur të ambientohem shumë mirë.

“Bota sot”: Cilat janë synimet si Edona?

Edona Berranija: Synimet e mija janë të jap kontributin maksimal në ekipin e CEP dhe të bëhem një lojtare e domosdoshme në skuadër. Pastaj pse jo te kaloj në liga edhe më të mira të Francës. Po punoj shumë dhe shpresoj ti arrij synimet e mija.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat